E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe G20 ngrenë alarmin: Konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon zinxhirët globalë të ushqimit dhe plehrave

Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme po zgjerohen përtej gjeopolitikës dhe tregjeve të energjisë, duke rrezikuar të godasin sërish sigurinë ushqimore globale. Ndikimet e drejtpërdrejta ekonomike në tregjet bujqësore, zinxhirët e vlerës dhe veçanërisht në tregun e plehrave kimike, ishin në qendër të diskutimeve të takimit të ministrave të financave të G20-ës dhe guvernatorëve të bankave qendrore.

Takimi i nivelit të lartë u zhvillua në Uashington, në kuadër të punimeve të përbashkëta pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ku u theksua nevoja urgjente për të mbajtur tregjet të hapura.

Sipas një deklarate zyrtare të lëshuar të hënën nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucion i cili mban edhe kryesinë e G20-ës për vitin 2026, takimi i mesjavës së kaluar nxori në pah shqetësimet e përbashkëta të ekonomive më të mëdha të botës mbi mundësinë e një krize të re në furnizime. Rreziku më i madh, sipas zyrtarëve të G20, nuk vjen vetëm nga ndërprerjet logjistike të konfliktit, por nga politikat proteksioniste që shtetet mund të ndërmarrin në mënyrë të njëanshme.

“Në takimin e 16 prillit, shumë pjesëmarrës theksuan rëndësinë e mbrojtjes së zinxhirit të furnizimit me ushqim dhe plehra, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme, duke u përmbajtur nga vendosja e ndalimeve ose kufizimeve në eksportet e plehrave,” thuhet në raportin zyrtar të Thesarit të SHBA-së.

Frika nga “efekti domino” në bujqësi

Luhatjet dhe pasiguria në tregun e plehrave kimike kanë një efekt zinxhir të menjëhershëm në kostot e prodhimit bujqësor global. Kufizimet e mundshme të eksporteve nga vendet e mëdha prodhuese—si një masë mbrojtëse e brendshme ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme—rrezikojnë të rrisin në mënyrë artificiale çmimet e ushqimeve bazë.

Ky paralajmërim nga SHBA dhe partnerët e G20 shërben si një mesazh i qartë për tregjet ndërkombëtare: shmangia e barrierave të reja tregtare dhe mbajtja hapur e rrugëve të eksportit të plehrave është jetike për të mos lejuar që tensionet e fundit gjeopolitike të kthehen në një krizë të thellë ekonomike dhe ushqimore për vendet në zhvillim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›