E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA dhe Irani rikthehen në tryezën e bisedimeve, Omani ndërmjetëson raundin e dytë në Gjenevë

Ministri i Jashtëm i Iranit ka mbërritur sot në Gjenevë për raundin e dytë të negociatave indirekte me Shtetet e Bashkuara, të ndërmjetësuara nga Omani.

Sipas Teheranit, takimi do të mbahet të martën, ndërsa Washingtoni ka kërkuar që përveç çështjes bërthamore të diskutohen edhe raketat balistike dhe mbështetja e Iranit për grupet rajonale.

Negociatat rifilluan këtë muaj pas ndërprerjes së tyre verën e kaluar, kur Izraeli ndërmori një fushatë bombardimesh të paprecedentë ndaj Iranit. Një pikë e nxehtë mbetet stoku i mbi 400 kilogramëve uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind, i cili nuk është parë nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike që prej qershorit.

Zëvendësministri Abbas Araghchi, i cili kryeson delegacionin iranian, u takua me kreun e IAEA Rafael Grossi dhe me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Al-Busaidi.

“Jam në Gjenevë me ide reale për një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë. Çfarë nuk është në tavolinë: dorëzimi para kërcënimeve,” shkroi ai në platformën X.

Nga ana amerikane, në negociata marrin pjesë i dërguari për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump. Bisedimet zhvillohen në një klimë tensioni, pasi Trump ka kërcënuar disa herë me veprime ushtarake ndaj Teheranit, fillimisht për shtypjen e protestave antiqeveritare dhe më pas për programin bërthamor.

Ai madje deklaroi se “ndryshimi i qeverisë në Iran do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, duke dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon.

Zëvendësministri iranian Majid Takht-Ravanchi tha për BBC se Teherani mund të pranojë kompromis për uraniumin e pasuruar nëse SHBA heq sanksionet që kanë goditur rëndë ekonominë iraniane. “Nëse shohim sinqeritet nga ana e tyre, jam i sigurt se do të jemi në rrugën drejt një marrëveshjeje,” u shpreh ai.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë heqjen e plotë të uraniumit të pasuruar dhe çmontimin e pajisjeve që e mundësojnë atë.

Iranianët theksojnë se marrëveshja duhet të sjellë përfitime ekonomike për të dyja palët, veçanërisht në sektorë si aviacioni, minierat dhe energjia. “Për të qenë e qëndrueshme, marrëveshja duhet të gjenerojë përfitime të shpejta edhe për SHBA,” tha zëvendësministri për diplomaci ekonomike Hamid Ghanbari.

Raundi i ri i bisedimeve në Gjenevë shihet si një test vendimtar për mundësinë e një marrëveshjeje të re bërthamore, mes presionit ushtarak amerikan, kërkesave izraelite dhe nevojës së Iranit për lehtësim ekonomik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›