SHBA do të ndërtojë port të përkohshëm në bregun e Gazës për dërgimin e ndihmave humanitare

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të njoftojë se ushtria amerikane do të ndërtojë një port në Gaza për të marrë më shumë ndihma humanitare nga deti, thonë zyrtarë të lartë amerikanë.
Porti i përkohshëm do të rrisë sasinë e ndihmës humanitare për palestinezët me “qindra kamionë shtesë” në ditë, thonë zyrtarët, raporton BBC. Zyrtarët amerikanë thonë se ndërtimi i portit të përkohshëm në Gaza do të zghasë për disa javë. Porti do të jetë në gjendje të ankorojë anije të mëdha që transportojnë ushqime, ilaçe ujdhe strehimore të përkohshme, thanë zyrtarët.
Dërgesat fillestare do të mbërrijnë nëpërmjet Qipros dhe siguria do të koordinohet me Izraelin, thonë zyrtarët. Biden do të bëjë njoftimin gjatë fjalimit të tij për gjendjen e Bashkimit më vonë.
Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.
Gjendja në veri të Gazës është më e rëndë. Autoritetet shëndetësore në Gazë thanë gjatë kësaj jave se 15 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja apo dehidrimi vetëm në një spital.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje tashmë shumë herë Izraelit të bëjë më shumë për ta lehtësuar katastrofën humanitare në Gazë, ku më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë nga lufta izraelite, e nxitur nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë nga pjesëtarët e grupit radikal palestinez. /vizionplus.tv/