E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA i ofron Rusisë ndryshime në vendosjen e trupave për të zbutur krizën në Ukrainë

Diplomatët e lartë amerikanë dhe rusë i përshkruan bisedimet e tyre tetë orëshe në Gjenevë të hënën si konstruktive, duke shtuar se nuk kishte pasur progres për të kapërcyer mosmarrëveshjet lidhur me Ukrainën dhe marrëveshjet e sigurisë më gjerësisht në Evropën Lindore.

Delegacionet e udhëhequra nga zëvendës-sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Wendy Sherman dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov u takuan sot për të trajtuar tensionet në rritje lidhur me Ukrainën, të nxitur nga grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse pranë kufirit.

SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar se do të vendosin sanksione në rast të një pushtimi rus, ndërsa Rusia po kërkon garanci që NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje dhe do të reduktojë trupat dhe armatimet në Evropë.

Sherman i përshkroi ndërveprimet e saj me rusët si ‘të drejtpërdrejta’.

“Shtetet e Bashkuara erdhën në takimin e jashtëzakonshëm të përgatitur për të dëgjuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë dhe për të ndarë shqetësimet tona”, tha ajo në një konferencë për shtyp.

Sherman tha se SHBA-ja, në një përpjekje për të ndihmuar në uljen e tensioneve, do të merrte në konsideratë disa ndryshime në praninë e saj aktuale në Evropën Lindore, duke përfshirë vendosjen e raketave dhe madhësinë dhe shtrirjen e stërvitjeve ushtarake.

Si shembull, ajo tha se SHBA-ja dhe Rusia mund të ringjallin Traktatin INF për ndalimin e sistemeve të armëve bërthamore me rreze të mesme veprimi me bazë tokësore. Shtetet e Bashkuara ishin tërhequr nga traktati nën qeverisjen e presidentit Donald Trump.

“Çdo lëvizje e tillë do të duhej të krahasohej nga Moska mbi një bazë reciproke dhe se kërkesa e Rusisë për t’i mbyllur derën e anëtarësimit në NATO të Ukrainës, nuk ishte një nismë”, tha Sherman.

“Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës. Ndërkohë, Moska pretendon se është Ukraina ajo që kërkon konflikt dhe sillet në mënyrë provokative dhe jo Rusia”, tha Sherman.

“Janë veprimet e Rusisë që po shkaktojnë një krizë të përtërirë jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën,” shtoi ajo. /DPA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›