SHBA-ja kërkon hetim për ndërhyrjen dashakeqe të Rusisë në zgjedhjet në Rumani

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim të plotë ndaj lëvizjeve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Rumani, pasi dokumentet e publikuara të mërkurën zbuluan se ky vend ishte në shënjestër të një “veprimi agresor hibrid nga Rusia”, që çoi drejt fitores befasuese të kandidatit prorus muajin e kaluar.
Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) i publikoi dokumentet e klasifikuara, duke thënë se ato tregojnë se anëtarja e NATO-s dhe BE-së ishte në shënjestër të veprimeve të ndryshme e bashkërenduara para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 nëntorit, të cilin e fitoi Calin Georgescu.
Këshilli tha se Georgescu fitoi falë një fushatë të bashkërenduar në rrjetet sociale, e cila u orkestrua nga një “aktor shtetëror” sipas të gjitha gjasave.
Në zgjedhjet parlamentare një javë më vonë partitë proruse shënuan rritje të madhe duke i marrë rreth një të tretën e votave, edhe pse partitë proevropiane duket se kanë marrë mjaftueshëm vota për ta formuar koalicionin qeverisës.
Më 8 dhjetor, votuesit do të vendosin fituesin e zgjedhjeve presidenciale në një balotazh ku garojnë Georgescu dhe kandidatja proevropiane, Elena Lasconi.
Sipas dokumenteve të deklasifikuara, shërbimi i inteligjencës i Rumanisë beson se Georgescu është promovuar masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia, përmes metodave të shumta, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim me pagesë.