E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA padi Kines ne OBT

Shtetet e Bashkuara do të hapin një çështje ndaj Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke sfiduar kështu kufizimet e eksportit të materialeve të rralla tokësore.

Bashkimi Evropian dhe Japonia pritet të mbështesin Shtetet e Bashkuara në këtë nismë. Pekini ka vendosur kuota të caktuara për eksportin e materialeve të rralla tokësore, shumë prej të cilave janë jetike për produktet në manifakturë apo ato teknologjike.

Amerika argumenton se me kufizimin e eksporteve, Kina, vendi numër 1 në botë për prodhimin e këtyre materialeve, ka bërë që të rriten çmimet.

Kina prodhon mbi 95 për qind të metaleve të rralla në botë dhe çdo kufizim mbi eksportet nga qeveria e Pakinit ka të ngjarë të ketë një ndikim të madh në çmimet globale.

Gjithashtu, ka shqetësime se Pekini e ka ndërmarrë këtë lëvizje në mënyrë që çmimet e këtyre elementëve të mbeten të ulëta brenda Kinës, lëvizje kjo që sipas kritikëve i jep manifakturës vendase një avantazh jo të drejtë.

Megjithatë, Kina i ka mohuar këto akuza, duke thënë se kufizimet i ka vendosur me qëllim që të kufizojë dëmtimin e ambjentit nga këta elementë.

Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, administrata amerikane ka në plan të hapë çështjen ndaj Kinës më vonë gjatë ditës së sotme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›