E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA sekuestron cisternën e naftës me flamur rus, reagon Moska: Askush s’ka të drejtë të…

Forcat amerikane njoftuan të mërkurën se kanë sekuestruar në Oqeanin Atlantik të Veriut tankerin e naftës me flamur rus Marinera, i njohur më parë si M/V Bella 1, për “shkelje të sanksioneve të ShBA-së”.

Sipas njoftimit, sekuestrimi u koordinua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Mbrojtjes, dhe u bë publik përmes X.

Operacioni u krye “në bazë të një urdhri të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi anija ishte ndjekur nga USCGC Munro (anije e Rojës Bregdetare të ShBA-së)”, thuhet në deklaratë.

“Bllokada e naftës venezueliane të sanksionuar dhe të paligjshme mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë”, deklaroi shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

Sipas njoftimit, operacioni është pjesë e përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i goditur anijet që “kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Hemisferës Perëndimore”, në kuadër të zbatimit të sanksioneve ndaj dërgesave të naftës.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se si Bella 1 ashtu edhe Sophia, një tjetër tanker i ndaluar të mërkurën nga ShBA-ja, “ishin ose të ankoruara së fundmi në Venezuelë, ose në rrugë drejt saj”.

“Kriminelët e botës janë paralajmëruar. Mund të vraponi, por nuk mund të fshiheni,” tha Noem, duke e quajtur ndryshimin e flamurit dhe emrit të Bella 1 “një përpjekje të dëshpëruar dhe të dështuar”.

Sipas The Wall Street Journal, ShBA-ja përdori avionë P-8 Poseidon dhe avionë luftarakë AC-130J për të asistuar në operacion.

Tankeri kishte refuzuar fillimisht një tentativë të Rojës Bregdetare për kontroll pranë Venezuelës në dhjetor, përpara se të “zhdukej” nga radarët duke fikur Sistemin Automatik të Identifikimit, duke ndryshuar emrin dhe duke u riregjistruar nën flamurin rus.

Moska reagoi duke dërguar një nëndetëse dhe mjete të tjera detare për të shoqëruar Marineran, sipas CBS News.

Ministria e Jashtme ruse deklaroi se anija “po lundronte në ujëra ndërkombëtare të Atlantikut të Veriut nën flamurin shtetëror të Federatës Ruse dhe në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare detare”, duke paralajmëruar se po i kushtohej “vëmendje qartësisht joproporcionale”.

Uashingtoni e kishte sanksionuar anijen në vitin 2024 për përfshirje të dyshuar në transport të paligjshëm nafte të lidhur me naftë iraniane dhe entitete të tjera të sanksionuara. Anija ishte nisur për të ngarkuar naftë në Venezuelë kur Roja Bregdetare tentoi ta ndalonte, por ekuipazhi kreu një kthesë të menjëhershme dhe u largua drejt Atlantikut.

Venezuela i ka dënuar veprimet e ShBA-së duke i quajtur “pirateri ndërkombëtare”.

Operacioni vjen vetëm pak ditë pasi ShBA-ja kreu një operacion ushtarak në Venezuelë për kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›