E Enjte, 5 Nëntor 2026

SHBA thirrje talebanëve që të negociojnë për zgjidhje politike në Afganistan

I ngarkuari me punë i SHBA-së në Afganistan, Ross Wilson u kërkoi talebanëve të ndalin përparimin që kanë filluar për të marrë nën kontroll një pjesë të madhe të Afganistanit.

Në një deklaratë nga llogaria e tij në Twiter, Wilson tha: “Sulmet e talebanëve i sjellin vështirësi të madhe popullit të Afganistanit i cili aktualisht përballet me thatësirën, varfërinë dhe COVID-19. Shkelin të drejtat e njeriut të afganëve dhe përhapin frikën se do të zbatohet një sistem që nuk mbështetet nga shtetasit e këtij vendi”.

Duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, Wilson theksoi: “U bëjmë thirrje talebanëve që të negociojnë me një vullnet të vërtetë për të arritur një zgjidhje politike dhe për t’u dhënë fund në mënyrë përfundimtare konflikteve”.

Administrata e SHBA-së më 29 shkurt 2020 arriti marrëveshje me talebanët dhe ra dakord të tërhiqet plotësisht nga Afganistani më 1 maj 2021.

Por, administrata e Joe Bidenit njoftoi se duke filluar nga 1 maji do të tërhiqen plotësisht deri më 11 shtator.

Sipas Komandës së Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) thuhet se aktualisht ka përfunduar më shumë se 90 për qind procesi i tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›