E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA vlerëson Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve nga Siria

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën sot riatdhesimin e pesë shtetasve shqiptarë nga Siria, dy gra dhe tri fëmijë, duke vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në kthimin e tyre në vend.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada amerikane në Tiranë shprehet se këtyre familjeve tashmë u mundësohet një e ardhme më e sigurt, përmes mbështetjes për rehabilitim dhe riintegrim.

Sipas ambasadës amerikane kthimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm për familjet e riatdhesuara, por edhe për përpjekjet për forcimin e sigurisë.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Shqipërinë për riatdhesimin e shtetasve të saj nga Siria, dy gra dhe tre fëmijë të kthyer së fundmi, të cilëve u mundësohet një e ardhme me mbështetje për rehabilitim dhe riintegrim. Një fitore për këto familje dhe për sigurinë globale”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Operacioni për riatdhesimin e tyre ishte kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›