SINTEZË – Aleatët e Kievit të rezervuar për planin e presidentit Trump

PARIS, 21 nëntor /ATSH-AFP/ – Aleatët e Ukrainës nuk e refuzuan planin amerikan për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia, por theksuan se asgjë nuk mund të vendoset pa Kievin dhe pa Evropën dhe premtuan të konsultohen për këto propozime.
Ja reagimet kryesore:
– Kievi
“Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: humbjen e dinjitetit ose rrezikun e humbjes së një partneri kyç, Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një fjalim drejtuar kombit duke shtuar se vendi po kalon “një nga momentet më të vështira në historinë e tij”.
– Moska
Në Moskë, presidenti Vladimir Putin vlerësoi se plani amerikan mund të “shërbejë si bazë për një zgjidhje përfundimtare paqësore”.
Ai tha se ishte gati për një “diskutim të plotë të të gjitha detajeve” të tekstit.
– Bashkimi Evropian
“Asgjë nuk duhet të vendoset për Ukrainën pa Ukrainën”, këmbënguli presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas një telefonate me Volodymyr Zelensky.
Ajo tregoi se kjo çështje do të diskutohej nga udhëheqësit evropianë në kuadër të samitit të G20 në Afrikën e Jugut.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, e kishte akuzuar më parë Rusinë për manovrime për të provokuar këtë propozim të ri amerikan me qëllim shtyrjen e zbatimit të sanksioneve të vendosura nga Donald Trump, si dhe për të ndërprerë diskutimet në Bruksel mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse në Evropë.
– Gjermania
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump “ranë dakord për hapat e ardhshëm” gjatë një takimi në lidhje me planin amerikan për Ukrainën, njoftoi sot në mbrëmje Berlini.
“Sapo diskutova planin e paqes për Ukrainën me presidentin e Shteteve të Bashkuara gjatë një bisede telefonike të frytshme dhe konfidenciale”, tha Merz në një postim në rrjetin social X, duke shtuar se ata “kishin rënë dakord për hapat e ardhshëm”.
“Tani do të informoj partnerët tanë evropianë”, shtoi ai.
– Berlini, Parisi dhe Londra
Friedrich Merz, Emmanuel Macron dhe Keir Starmer mirëpritën “përpjekjet amerikane”, por siguruan Volodymyr Zelensky për “mbështetjen e tyre të plotë dhe të palëkundur në rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”, sipas një deklarate nga Berlini pas një takimi me presidentin ukrainas.
Katër udhëheqësit “mirëpritën veçanërisht angazhimin ndaj sovranitetit të Ukrainës dhe gatishmërinë për t’i ofruar asaj garanci të forta sigurie”.
– Britania e Madhe
“Ne të gjithë duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo është ajo që dëshiron presidenti i Shteteve të Bashkuara. Kjo është ajo që duam të gjithë. Kjo është arsyeja pse duhet të punojmë nga vendi ku jemi, drejt këtij qëllimi”, tha kryeministri britanik Keir Starmer.
“Por, parimi që Ukraina duhet të përcaktojë të ardhmen e saj në sovranitet të plotë është një parim themelor”, shtoi ai.
– Italia
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksoi, në një takim me homologun e saj gjerman, “nevojën për të mbështetur përpjekjet negociuese”, sipas zyrës së saj.
“Referenca për garanci të forta sigurie, të cilat janë pjesë e kornizës më të gjerë të stabilitetit evropian dhe transatlantik, u mirëprit nga Meloni”, sipas të njëjtit burim, i cili shtoi, megjithatë, se pikat e tjera të planit Trump “kërkojnë studime të mëtejshme”.
– NATO-ja
Presidenti ukrainas foli sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Ata ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë ndërsa të gjithë punojmë për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe shkatërrimit”, tha një zyrtar i Aleancës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
– OKB-ja-
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, theksoi se çdo “zgjidhje paqësore” për Ukrainën duhet të respektojë “integritetin e saj territorial”, në përputhje me ligjin ndërkombëtar./ a.jor.