E Diel, 1 Nëntor 2026

SOFJE – Radev: Bullgaria nuk do t’i bashkohet Koalicionit të të Gatshëmve për Ukrainën

SOFJE, 14 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi sot në Paris se vendi i tij nuk do t’i bashkohet Koalicionit të të Gatshëmve, grupit të vendeve që mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

“Vendi i Bullgarisë nuk është aty”, tha Radev për televizionin shtetëror bullgar BNT, gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez me rastin e Ditës së Bastijës.

Ai bëri të ditur se presidenti francez, Emmanuel Macron i kishte drejtuar Bullgarisë një ftesë për t’iu bashkuar koalicionit, ku marrin pjesë disa vende të Bashkimit Evropian dhe NATO-s që mbështesin Ukrainën.

Megjithatë, Radev, ish-pilot ushtarak dhe ish-komandant i Forcave Ajrore bullgare tha se, zgjidhja e konfliktit nuk qëndronte te zgjerimi i tij përmes mjeteve ushtarake, por te një angazhim i fortë diplomatik për t’i dhënë fund përshkallëzimit.

Radev, i cili shërbeu si president i Bullgarisë nga viti 2017 deri në janar të këtij viti, u bë kryeministër në maj pas fitores në zgjedhje, me partinë e tij të re.

Ndryshe nga qeveritë e mëparshme në Sofje, ai ka mbështetur një zgjidhje diplomatike për luftën në Ukrainë, e cila nisi pas pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›