E Enjte, 5 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Natë speciale në Shangai për një vizitë në muze nga… macet!

SHANGAI, 29 korrik /ATSH-AFP/ – Përpara Muzeut të Shangait, një radhë ”VIP”-ash me gëzof, bishta që tunden dhe mustaqe që dridhen, për një vizitë kushtuar maceve në Egjiptin e lashtë.

Biletat për mbrëmjen e parë të këtij lloji, të shtunën e kaluar, janë shitur për pak ditë.

Shumë pronarë të maceve e shohin atë si një mundësi për të ndarë një përvojë me shoqërueset e tyre me katër këmbë dhe shpesh postojnë foto të maceve të tyre, shumica prej tyre race të pastër, në rrjetet sociale.

Një vizitore tha se kishte shtyrë një udhëtim në Evropë për të marrë një nga 200 biletat në dispozicion për “djalin e saj”, një maçok me flokë të kuqe.

”Zoti Trump”, i quajtur kështu për shkak të ngjashmërisë së tij fizike dhe psikologjike me kandidatin për presidencën e SHBA, është veshur si perandor kinez dhe ua mbyll sytë me mendjemadhësi gazetarëve që nxitojnë ta fotografojnë.

“Unë nuk mund ta imagjinoj jetën time pa një mace tani”, thotë pronarja e tij, Amy.

“Unë kam të njëjtën ndjenjë si egjiptianët, të cilët i vlerësonin macet kaq shumë”, shton ajo.

Numri i kafshëve shtëpiake në Kinë po rritet ndjeshëm, duke arritur në më shumë se 120 milionë në vitin 2023, një trend i nxitur kryesisht nga të rinjtë.

Muzeu i Shangait donte të përfitonte nga kjo mani duke organizuar rreth 10 mbrëmje për macet, të cilat i prezanton si të parën në Kinë.

Në hapje të ekspozitës hynin vizitorë me gëzofë, mbi shpatullat e zotërinjve të tyre ose me çantë.

Claire, si macja e saj gjermane ”Rex”, erdhi me kostumin egjiptian.

”Kjo ekspozitë tregon se macet kanë qenë gjithmonë miq të mirë për njerëzit”, thekson ajo.

”Sot, të rinjtë janë nën një presion të madh dhe macet na ndihmojnë të çlirohemi nga ky presion mendor (…) ndoshta në të njëjtën mënyrë si në kohët e lashta”, sugjeron ajo.

Në Egjiptin e lashtë, macet konsideroheshin si kafshë të shenjta dhe shoqëroheshin me Bastën, perëndeshë e pjellorisë, lindjes dhe mbrojtjes, me pamje maceje.

Vizitorët me gëzof janë veçanërisht të shumtë në pjesën e ekspozitës kushtuar Sakara-s, një nekropol antik ku arkeologët zbuluan së fundmi dhjetëra mumje macesh./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›