SPAK: Të pyetet Mediu. Ish-ministri i Mbrojtjes: Kam pritur 16 vjet për një gjë të tillë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkon gjykatës të pyetet i pandehuri i procesit të Gërdecit, Fatmir Mediu.
Ky vendim i takon pikërisht ish- Ministrit të Mbrojtjes, nëse do të pranojë apo jo të japë dëshminë e tij, përballë togave të zeza. Vetë ish-ministri i Mbrojtjes tha për mediat se për këtë kërkesë të SPAK do të këshillohet me mbrojtësit e tij.
“Sa i përket vazhdimit të procesit, i bëj thirrje edhe njëherë që gjithsecili të vij dhe të mbajë qëndrimin sa i përket punës që ka kryer në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të mos mbajnë pozicionin e heshtjes. Sepse me dëshmitë duhet të hidhen dritë. Do konsultohem me avokatët. Unë kam pritur mbi 16 që të pyetem nga prokuroria, por nuk ka denjuar të më pyesë mbi çështjen”, tha Mediu.
Ish- ministri shprehu gatishmërinë e tij për çdo përballje të mundshme edhe me ish- shefin e shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Luan Hoxha, i cili është pjesë e dëshmitarëve që ka kërkuar akuza, por që prej vitesh ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
“Ballafaqimi është kërkuar nga prokuroria. Unë e kam kërkuar ballafaqimin me çdo ushtarak. Besoj se kjo është gjëja më e mirë. Ministri i Mbrojtjes ka detyrat dhe autoritetin e vetë, shefi i shtabit ka detyrën e vetë”, tha Mediu.
Nga ana tjetër SPAK kërkon të gjendet dhe të thirret Anjola Agolli ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, nga zyra e së cilës pretendohet se ka dalë shkresa me mbishkrimin për Shkëlzenin.
Po sot gjyqtarja Irena Gjoka informoi se ministria e Drejtësisë ka dërguar letërporosi në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe katër përfaqësuesit e kompanisë SAC.
Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre, Dritan Minxollin dhe Mihal Delijorgjin, të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme ku është dërguar njoftimi i gjykatës. Seanca e ardhshme është ajo e 21 shkurtit, ku pritet që ish- ministri Mediu, të japë dakordësinë apo jo për dëshminë e kerkuar nga prokuroria e posaçme./vizionplus.tv