E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK çon për gjykim 5 persona për blerje votash në zgjedhjet për kryebashkiak në Rrogozhinë, mes tyre ish-kandidatin e PD-së, Shkëlqim Hoxha

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim pesë persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë. Sipas hetimeve, katër prej tyre kanë ofruar bileta udhëtimi për votues, ndërsa njëri, ish-kandidat për kryetar bashkie, akuzohet për moskallëzim krimi.

Katër të pandehurit, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjell Cara, janë akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur.

Hetimet kanë dokumentuar 64 raste ku këta persona kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara me qëllim që votuesit të mbështesnin një kandidat të caktuar.

Personi i pestë, Shkëlqim Hoxha, i cili ishte kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë, akuzohet për “Moskallëzim i krimit”. Sipas SPAK, ai ishte në dijeni të aktivitetit të paligjshëm të të tjerëve, por nuk e ka denoncuar atë në organet kompetente.

Kërkesa për gjykim është paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë pas një hetimi të thelluar, i cili bashkoi dy procedime penale të ndryshme bazuar në referimet e Drejtorisë së Policisë Durrës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›