SPAK godet një grup kriminal për kontrabandë cigaresh, 36 persona nën hetim, mes tyre doganierë e biznesmenë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ndërmarrë një operacion të gjerë kundër një skeme të kontrabandës së cigareve, ku janë përfshirë zyrtarë doganorë, biznesmenë dhe shtetas të huaj. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), janë dhënë gjithsej 36 masa sigurie: 15 masa “arrest me burg”, 20 masa “detyrim për t’u paraqitur” dhe një masë “arrest shtëpie”.
Deri tani, janë ekzekutuar urdhrat për “arrest me burg” për 5 nga 15 personat nën hetim, ndërsa masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” janë zbatuar ndaj 15, prej 20 të dyshuarve.
Hetimi lidhet me vepra penale të korrupsionit, kontrabandës në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, evazionit fiskal dhe fshehjes së të ardhurave. Sipas të dhënave, të dyshuarit kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar që kishte si qëllim kontrabandimin e cigareve të prodhuara në Shqipëri drejt vendeve fqinje dhe më pas drejt tregut të Bashkimit Evropian.
SPAK shkruan se ky grup kriminal, në më shumë se 30 raste ka ndryshuar destinacionin dhe më pas shkarkuar ngarkesën e destinuar për firmën porositëse në territorin shqiptar, me qëllim kontrabandimin në vendet fqinje, pa paguar detyrimet doganore.
Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet në vlerën e më shumë se 366 miliard lekë dhe vendeve të BE-së në një rast në vlerën 2,802,159,90 euro nëse kontrabandimi do të ishte i suksesshëm, dhe në katër raste të tjera e kanë arritur qëllimin duke i humbur BE-së vlerën e taksuar në përafërsisht 10 milionë Euro.
“Kjo veprimtari është realizuar përmes legjitimimit të kontrabandës nga struktura të caktuara të doganës në shkelje të ligjit duke mos shoqëruar ngarkesat me strukturat e antikontrabandës deri në dalje nga territori i Shqipërisë si dhe çlirim eksporti fiktiv në sistemin “Asycuda Ëorld” sikur kjo sasi cigaresh ka dalë nga vendi ynë në doganën dalëse të përcaktuar në deklaratën doganore. Gjithashtu prodhimi i paketave të cigareve pa pullë fiskale, nuk ka mundësuar vjeljen e detyrimeve doganore nga vendi ku janë destinuar për tu shitur, veprimtari kjo në kundërshtim me Ligjin e akcizës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në “arrest me burg” janë lënë 9 punonjës të doganave, të akuzuar për veprat penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ndërkohë, 20 punonjës të tjerë të doganave janë lënë në masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Po ashtu, “arrest me burg” është caktuar edhe për pronarin dhe administratorin e fabrikës ku prodhoheshin cigaret, një shtetas të Maqedonisë së Veriut, një shtetas nga Kosova dhe 2 shtetas serbë.
/rtsh.al/