“SPAK heton 21 janarin”, Dumani: Berisha nën hetim pasuror, po rihetojmë Xibrakën

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, dosja e nxehtë e “21 janarit” do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme.
Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtuesi i SPAK Altin Dumani në një takim me gazetaret. Ai sqaroi se do të ketë koordinim me prokurorinë e Tiranës si dhe me policinë për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Tashmë në qendër të hetimeve të SPAK do të jenë ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha si dhe ish-drejtuesit e gardës.
Çështja e ish-numrit dy të qeverisë, tashmë në arrati, Arben Ahmetaj, ishte një tjetër çështje, për të cilën Dumani tha se SPAK dhe Ministria e Drejtësisë janë në pritje nga autoritetet zvicerane për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Sa i takon deklaratave të Ahmetajt për “Rai3”, Dumani shtoi se janë nisur procedime për inceneratoret edhe për këto deklarata të cilat janë duke u verifikuar.
Në lidhje me hetimet për aferën e privatizimit të ish-klubit sportive “Partizani”, Dumani vuri në dukje se janë bërë hetime pasurore për Sali Berishën. Kreu i SPAK shtoi se kjo dosje do të dërgohet në Gjykatë sapo të përfundojnë hetimet.
Sa i takon dosjes “5D”, Dumani nuk bëri asnjë koment nëse ka hetim pasuror dhe sekuestro, pasi sipas tij çështja është nën hetim. Pa përgjigje Dumani ka lënë edhe deklaratat dhe akuzat e ashpra që ish-presidenti Ilir Meta ka bërë ndaj tij.
Për dosjen Xibraka, Dumani sqaroi se janë rifilluar hetimet dhe është regjistruar procedim penal, por në lidhje me këtë dosje, numri një i SPAK tha se kallëzimi nuk është bërë nga Gazmend Bardhi.
Kreu i SPAK u ndal edhe te ekstradimet e të kërkuarve shqiptarë nga Dubai, vend me të cilin Shqipëria nuk ka ende një marrëveshje ekstradimi. Dumani konfirmoi se Shqipëria ka dërguar 7 kërkesa për personazhe të botës së krimit që prej kohësh fshihen në këtë vend. /vizionplus.tv