E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK i sekuestroi celularin, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Onejda Ymerit: I është cenuar e drejta!

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë pjesërisht të drejtë Onejda Ymerajt, së cilës SPAK i ka sekuestruar telefonin në kuadër të një hetimi që Prokuroria e Posaçme po zhvillonte.

Gjyqtarët vendosën se sekuestrimi i telefonit të zonjës Ymeraj ka cenuar lirinë dhe fshehtësinë e korrespondencës për pjesët që nuk lidhen me objektin e hetimit penal, ndaj të gjitha kopjet për këtë pjesë të komunikimit duhet të shkatërrohen.

Ndërsa kopjet që përmbajnë biseda që lidhen me hetimin do të mbahen, por do t’i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Vendimi i Kushtetueses për zonjën Ymeraj përcakton rregulla të reja për të gjitha rastet kur prokuroria sekuestron telefonin e një qytetari, duke vendosur që përdorimi i të dhënave të gjetura në telefon duhet të bëhet vetëm me vendim gjykate dhe vetëm për biseda që lidhen me objektin e hetimit.

Në këtë vendim, gjyqtarët sqarojnë se kur sekuestrimi i telefonit bëhet në kushte urgjence, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në një kohë sa më të shpejtë.

Kushtetuesja vë në dukje se sekuestrimi i telefonit në kushte urgjence duhet të respektojë standardet ndërkombëtare, duke përfshirë, ndalimin e veprimeve të përpunimit të korrespondencës, mbylljen e pajisjes në të cilën ndodhet korrespondenca në praninë e qytetarit ose avokatit dhe ndalimin e bërjes së kopjeve të të dhënave personale pa autorizim të gjykatës.

Gjyqtarët sqaruan se vendimi nuk ka efekt prapaveprues.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›