“SPAK, një prokurori politike”, Berisha paralajmëron edhe njëherë shkrirjen e strukturës së posaçme

Kryetari i PD, Sali Berisha, përsëriti qëndrimin e tij kundër SPAK-ut, duke e cilësuar atë prokurori politike. Pavarësisht se prokuroria e posaçme arrestoi një prej figurave më të rëndësishme të PS, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Berisha theksoi se SPAK mban përgjegjësi për proceset ndaj tre figurave kryesore të koalicionit opozitar; procesin e hapur ndaj tij, ndaj Ilir Metës dhe Fatmir Mediu.
“Në këtë kontekst unë besoj fort tek shqiptarët, se një prokurori që arreston 3 liderët politikë të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera.”, tha Berisha.
Kryetari i PD shpjegoi se ai synon të ndërtojë një prokurori që të mos kontrollohet nga politika, duke sjellë si shembull prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila u ndërtua kur Berisha ishte kryeministër.
“Asnjë diskutim nuk ka që Shqipëria do të ketë prokurorinë më serioze në raport me ligjin, por Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike. Jo. Shqipëria ka patur një Prokurori të Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur para ligjit 1050 anëtarë të 204 organizatave dhe grupeve kriminale. Një prokurori në të cilën mandatet e arrestit nuk shiteshin në avancë, por ekzekutoheshin në 95% të tyre.”
Berisha replikoi edhe me kryeministrin Edi Rama dhe qëndrimet e tij ndaj kryebashkiakut Veliaj.
“Për sa i përket lotëve të krokodilit të Edi Ramës për Erion Veliajn, është kuptuar gjerësisht që janë lot krokodili. A nuk paralajmëroi ai që do ketë arrestime? A nuk dërgoi ai Belinda Ballukun për të drejtuar partinë?”
Qëndrimi i kryetarit të PD, Sali Berisha, se ai do ta zhbejë reformën në drejtësi nuk është i ri, pasi prej kohësh Berisha ka përdorur termin “organizatë kriminale” për prokurorinë e posaçme të krimit të organizuar e korrupsionit. Por pas arrestimit të Erion Veliajt, Berisha bëri një hap pas, duke deklaruar se në SPAK ka edhe prokurorë që respektojnë ligjin.