E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPANJË – Tjetër viktimë dhe 343 000 hektarë tokë të djegura nga zjarret

MADRID, 18 gusht /ATSH-AFP/ – Një tjetër viktimë dhe mbi 343 000 hektarë tokë janë djegur në Spanjë që nga fillimi i vitit, një shifër në rritje të vazhdueshme që përfaqëson një rekord për vendin, sipas të dhënave të përditësuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), një tregues i observatorit evropian ”Copernicus”.

Viti 2022 ishte viti më i keq deri më tani për sa i përket sipërfaqes së shkatërruar nga zjarret në Spanjë, me 306 000 hektarë të djegur.

Ndërkohë, Portugalia mban rekordin evropian që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2006, me 563 000 hektarë të djegur në vitin 2017, në zjarre që vranë 119 persona.

Vendi është përfshirë përsëri nga flakët këtë verë, me 216 000 hektarë të shkatërruar që nga fillimi i vitit.

Që kur shpërthyen në fillim të gushtit, zjarret e përhapura në Spanjë, të përqendruara në veriperëndim dhe perëndim të vendit, në Galicia, Castile dhe León dhe Extremadura, kanë marrë tashmë katër jetë.

I përballur me shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga këto zjarre, kryeministri Pedro Sanchez njoftoi “një pakt kombëtar për të adresuar emergjencën klimatike”.

Ekspertët shpjegojnë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën ngjarjet ekstreme të motit, siç janë thatësirat, valët e nxehtësisë dhe zjarret në pyje, më të shpeshta, më intensive dhe më afatgjata.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›