SPORT – Barcelona tërhiqet nga projekti i Superligës Evropiane

MADRID, 7 shkurt /ATSH-DPA/- Barcelona ka njoftuar tërheqjen e saj nga projekti i Superligës Evropiane.
Në prill të vitit 2021, 12 klube u njoftuan si anëtarë themelues të një Superlige të re Evropiane, e cila mori reagime të forta dhe planet shpejt dështuan.
Gjashtë klubet e mëdha të Anglisë ishin pjesë e këtij grupi themelues të ekipeve evropiane së bashku me AC Milan, Atletico Madrid, Barcelonën, Interin, Juventusin dhe Real Madridin.
Planet u bllokuan dhe u bënë gjithashtu objekt protestash nga tifozët.
Të shtunën, Barcelona konfirmoi tërheqjen e saj nga projekti.
Një deklaratë e shkurtër në faqen e internetit të Barcelonës lexonte:
“Barcelona ka njoftuar zyrtarisht Kompaninë e Superligës Evropiane dhe klubet e përfshira për tërheqjen e saj nga projekti i Superligës Evropiane”, tha ajo ne një deklaratë të shkurtër.
Në dhjetor 2023, Gjykata e Drejtësisë për Bashkimin Evropian (GJED) tha se rregullat e përdorura nga UEFA për të bllokuar garën në vitin 2021 ishin në kundërshtim me ligjin e BE-së.
UEFA miratoi rregulla të reja autorizimi në vitin 2022, të cilat beson se përputhen me ligjin e BE-së.
Tetorin e kaluar, Real Madridi tha se do të kërkonte kompensim për “dëme të konsiderueshme” nga UEFA pas një vendimi ku një gjykatë në Madrid hodhi poshtë ankesat e UEFA-s, federata spanjolle e futbollit (RFEF) dhe “La Liga”.
“Real Madridi është i kënaqur që Gjykata e Madridit ka rrëzuar ankesat e paraqitura nga UEFA, RFEF dhe La Liga, duke konfirmuar se UEFA, në çështjen e Superligës, shkeli rëndë rregullat e konkurrencës së lirë të Bashkimit Evropian në përputhje me vendimin e GJED-së duke abuzuar me pozicionin e saj dominues”, tha klubi spanjoll në një deklaratë.
UEFA lëshoi një deklaratë në atë kohë duke thënë se vendimi “nuk e vërtetonte” projektin e Superligës dhe as nuk i minonte rregullat aktuale të autorizimit të UEFA-s. //a.i//