STRASBURG – Von der Leyen: BE do të rishqyrtojë sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

STRASBURG, 18 dhjetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian mund të marrë në konsideratë heqjen e disa sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Sirisë për të lehtësuar rindërtimin e vendit, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Krahas shënjestrimit të individëve, BE-ja ka vendosur ndalime të gjera të importit dhe eksportit dhe ka kufizuar shërbimet financiare – për të ushtruar presion mbi regjimin e rrëzuar sirian lidhur me abuzimet e të drejtave të njeriut.
Kjo përfshin ndalimin e eksportit nga blloku në Siri – të një game të gjerë produktesh si pajisjet teknike dhe elektronike, karburantet e avionëve, pajisjet për industrinë e naftës dhe gazit – një ndalim të importit të naftës dhe produkteve të naftës siriane dhe kufizimet e huave dhe tregtimit.
“BE planifikon të mbështesë rindërtimin e Sirisë nëse udhëheqja e re i përmbush premtimet e saj”, u tha Von der Leyen ligjvënësve evropianë të mbledhur në qytetin francez të Strasburgut.
“Udhëheqja e re në Damask duhet të dëshmojë se veprat e tyre përputhen me fjalët e tyre”, tha ajo.
“Për të lehtësuar rindërtimin, BE-ja duhet të rishqyrtojë sanksionet e saj ekonomike të vendosura ndaj vendit”, shtoi Von der Leyen.
“Për ta bërë këtë, ne duhet të shohim një progres të vërtetë drejt një procesi politik gjithëpërfshirës. Evropa ka ndikim në Siri dhe ne duhet ta përdorim atë në mënyrë që pushteti të mund t’i kthehet popullit të Sirisë”, tha ajo.
Sanksionet ndaj Sirisë u vendosën për herë të parë në vitin 2011 – si një përgjigje ndaj shtypjes së dhunshme të protestave nga Bashar al-Assad, të cilat u kthyen në një luftë civile.
Qëllimi ishte goditja e sundimtarit tashmë të rrëzuar, al-Assad dhe mbështetësve të tij.
Grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili është kryesisht përgjegjës për rrëzimin e al-Asaad, është në listën e terrorizmit të Kombeve të Bashkuara dhe gjithashtu subjekt i sanksioneve të BE-së. //a.i/