E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sacrificium!

GJERGJ META

Ndër fjalët më të lakuara këto kohët e fundit, që në mënyrë paradoksale na vjen nga ekonomia, është fjala sakrificë. Gjendet kjo fjalë e shartuar në fjali të tipit për të dalë nga kriza duhet të bëjmë të gjithë sakrifica. Në zanafillën e saj fjala ka një ngjyrim të theksuar religjioz dhe është e pranishme në pothuajse të gjitha religjionet si një përmasë e pashmangshme e tyre. Në krishtërim ajo arrin kulmin e saj me kryqin. Në këtë shkrim, gjithsesi, nuk dua të ndalem në domethënien e kryqit, por të fjalës sakrificë, që jam i bindur, nëse i shkojmë pak më thellë, dallojmë elemente interesante për një reflektim mbarëshoqëror.
Së pari fjala! Sakrificë nuk është një fjalë shqipe. Në shqip ajo mund të përkthehet shumë mirë me fjalën fli dhe flijim, por edhe me një fjalë të huaj që duket se ka hyrë tashmë në fjalorin shqip të paktën populist dhe politik, kurban. Ndërmjet dy fjalëve të huaja neve na intereson më shumë fjala sakrificë, e cila është e përbërë nga dy fjalë latine: sacrum dhe facere. Fjala mund të ketë kuptimin: ta bësh diçka të shenjtë. Me fjalë shumë të thjeshta në lashtësi, por edhe sot në disa religjione e tradita popullore (ku hidhet një themel shtëpie), sakrifikohet (flijohet) një kafshë për tia ofruar Hyjnisë apo hyjnive që ajo të qetësohet dhe ta kthejë këtë fli në bekim për njerëzit që e kanë flijuar. Duke e ofruar ajo bëhet e shenjtë, sepse i ofrohet hyjnisë. Në këtë mënyrë humbej diçka, bëhej theror, për të fituar diçka tjetër më të madhe. Në një farë mënyre ishte një lloj çmimi për tu paguar në këmbim të një të mire më të madhe.
Në përgjigje dhe kinse si reagim ndaj një religjioni të krishterë shtypës një lloj filozofie nihiliste dhe ekzistencialiste, e cila solli në vitet gjashtëdhjetë në Europë revolucionin seksual duke u shtrirë në mënyrë analogjike edhe në fusha të tjera, e hoqi nga qarkullimi pothuajse krejt fjalën sakrificë jo vetëm si realitet, por edhe si fjalë. Sakrifica përgjithësisht vlerësohej si një limit, një cak apo një pengesë që duhej kaluar, madje nuk duhej të ekzistonte, për të shijuar jetën. Në shkencat psikologjike dukej pothuajse një blasfemi fjala sakrificë: vetëm përjetimi i çlirët dhe pa asnjë ndrydhje i ndjenjave, emocioneve, dëshirave dhe ambicieve çon drejt shërimit. Nga rrafshi i jetës fizike dhe seksuale kjo gjë u shtri pothuaj në të gjitha rrafshet, përfshi edhe atë politik, shoqëror, familjar dhe ekonomik. Ngatërrimi i lumturisë me kënaqësinë dhe realizimin e çdo lloj ambicieje personale apo komunitare çoi në kërkimin e arritjes së tyre me çdolloj çmimi. Mjafton të plotësoj nevojat e mia dhe kjo më intereson, madje vetëm kjo më intereson. Pasoja e një mendësie të tillë qe dhe është shkatërruese. Një miku im, i cili i përket një familjeje të pasur në Toskanë, më tha një herë se në ambientet që ai frekuentonte fjalët më të ndaluara ishin: vdekje dhe sakrificë. Por edhe pse qe i madh mundimi për të hequr këtë fjalë nga qarkullimi në të vërtetë ky realitet nuk u zhduk, por u përmbys: d.m.th. diçka u flijua, u sakrifikua për të qetësuar hyjnitë e reja. Individualizmi dhe pasurimi i pafre e me të gjitha mënyrat i ekonomive personale dhe kombëtare çoi në krijimin e kulteve të reja, në lartësimin e piramidave faraonike që donin të preknin qiellin, por që tani po tërhiqen zvarrë në baltën e krizës. Ato që u flijuan qenë dhe janë vlerat më të mira të një shoqërie njerëzore: familja, martesa, jeta, paqja, dashuria, solidariteti, virtytet etj. Në të vërtetë historia jonë në Shqipëri është paksa ndryshe, por drejt kësaj katrahure po shkojmë në të gjitha kthinat e jetës sonë shoqërore e politike. Varfëria që ka prekur deri në palcë shumë familje shqiptare është pandashmërisht e shoqëruar nga një varfërim i tejskajshëm i jetës morale publike, ekonomike dhe politike që shfaqet në dukuritë korruptive, klienteliste, mafioze, të cilat si shushunjat çojnë drejt varfërisë ekonomike. Kjo pasi pakkujt i intereson zhvillimi integral dhe integrues i vendit, por më shumë marrja apo mbajtja e pushtetit ekonomik dhe politik.
Sot ekonomistët dhe liderët politikë flasin për sakrificë (fli, kurban). Ua kanë hequr këtë fjalë nga goja priftërinjve dhe pontifikojnë nga foltoret e tyre duke përdorur të njëjtën terminologji që u kërkua me të gjitha mënyrat të hiqej nga fjalori publik. Fatkeqësisht kam përshtypjen se harrohet ose nuk është e përshtatshme të kujtohet se në të vërtetë sakrifica që kërkohet, para se të jetë një strategji kursimi, është një reflektim antropologjik. Dhe ky reflektim antropologjik duhet të nisë nga vetëdija e solidaritetit me tjetrin si njeri dhe si komb. Duhet një solidaritet i tipit të ri jo vetëm intuitiv dhe mbijetues, por strategjikisht i menduar. Shpërndarja e të mirave të përbashkëta për të gjithë popujt është një çështje drejtësie dhe për të vendosur këtë drejtësi duhet që dikush të heqë dorë nga standardi i tij i jetës. Nuk mjafton, sigurisht, asnjë fond monetar ndërkombëtar, asnjë bankë, asnjë organizëm ekonomik apo politik për të nxjerrë nga balta anijen. Ajo kërkon më së pari njerëz me vullnet të mirë dhe dëshirë për të sakrifikuar me qëllim që kjo anije të shpëtohet me të gjithë udhëtarët brenda pa pasur nevojë të hidhet asnjë në det që të shpëtojnë vetëm disa me pasuritë dhe kënaqësitë e tyre, kur shumë mirë mund të hidhen në det këto të fundit.
Është koha që sakrifica të kthehet në një stil jete jo vetëm për pak kohë, por për gjithë kohën, dhe kjo të bëhet jo me nënshtrim (se skemi rrugë tjetër), por me dashuri dhe vetëdije se kështu po zbatojmë drejtësinë. Për këtë është e nevojshme që të dalim nga vetja për të shkuar drejt tjetrit. Sakrifica nis nga unë! Dhe ata (ose ne) që kanë zënë foltoret duhet ti vënë shpatullat punës së paku në një gjë: të mos iu bien mbi krye ato fjalë biblike në të cilat thuhet për priftërinjtë dhe farizenjtë ju duhet ti dëgjoni e të zbatoni gjithçka ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbaren dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›