E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadushi në Ditën e Drejtësisë: Besimi ndërtohet përmes vendimeve të arsyetuara dhe transparencës

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, përcolli një mesazh urimi për gjyqtarët dhe profesionistët e sistemit të drejtësisë. Ai theksoi se kjo ditë është më shumë se një kujtesë institucionale, duke e cilësuar si një ftesë për reflektim mbi rolin e drejtësisë në një shoqëri demokratike.

Sadushi u shpreh se “Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, dëshiroj t’u përcjell urimet më të mira të gjithë gjyqtarëve dhe profesionistëve të sistemit të drejtësisë.”

Duke folur për peshën e drejtësisë, ai nënvizoi se ajo kërkon dije, integritet, paanshmëri dhe kurajë.

“Kjo ditë nuk është thjesht një moment kujtese institucionale. Ajo është edhe një ftesë për reflektim mbi peshën që mbart drejtësia në një shoqëri demokratike dhe mbi përgjegjësinë që ka çdo gjyqtar në mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të njeriut.”

Sadushi theksoi se vendimmarrja gjyqësore duhet të bazohet në ndërgjegje profesionale dhe respekt për ligjin.

“Drejtësia kërkon gjyqtarë që vendosin me ndërgjegje profesionale, me respekt për ligjin dhe me vetëdijen se çdo vendim gjyqësor ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në besimin publik tek shteti i së drejtës.”

Ai shtoi se besimi i publikut ndaj drejtësisë nuk mund të kërkohet vetëm nga jashtë, por duhet të ndërtohet nga vetë gjyqtarët përmes punës së tyre të përditshme.

“Besimi i publikut nuk mund të kërkohet vetëm nga jashtë. Ai duhet parë, së pari, nga vetja jonë: nga mënyra si punojmë, si arsyetojmë, si sillemi, si komunikojmë dhe si e përmbushim çdo ditë detyrën.”

Sadushi nënvizoi se autoriteti i drejtësisë forcohet kur gjyqtari është i gatshëm të reflektojë mbi përgjegjësinë e tij dhe të vendosë qytetarin në qendër të shërbimit gjyqësor.

“Drejtësia fiton autoritet kur gjyqtari është i gatshëm të shohë me ndershmëri edhe përgjegjësinë e vet, të korrigjojë mangësitë, të shmangë formalizmin dhe të vendosë qytetarin në qendër të shërbimit gjyqësor.”

Në mesazhin e tij, kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se besimi ndërtohet çdo ditë përmes vendimeve të arsyetuara, sjelljes së paanshme, transparencës institucionale dhe respektit për qytetarin.

 “Besimi ndërtohet çdo ditë, përmes vendimeve të arsyetuara, sjelljes së paanshme, transparencës institucionale, respektit për qytetarin dhe gatishmërisë për të mbajtur përgjegjësi. Ky besim është një kapital i pazëvendësueshëm për drejtësinë dhe duhet merituar në çdo çështje, në çdo seancë dhe në çdo marrëdhënie të sistemit me qytetarin.”

Më tej ai shprehu mirënjohje për punën dhe përkushtimin e gjyqtarëve, duke theksuar se,“Në këtë ditë, shpreh mirënjohjen time për punën dhe përkushtimin e gjyqtarëve që, pavarësisht sfidave të përditshme, i shërbejnë drejtësisë me përgjegjësi dhe dinjitet.”

 “Le të mbetet kjo ditë një kujtesë se drejtësia nuk forcohet vetëm nga ligjet dhe institucionet, por edhe nga karakteri, integriteti dhe guximi moral i atyre që e ushtrojnë atë. Gëzuar Ditën e Drejtësisë!”-mbyllet mesazhi i kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›