E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadushi për pagat e gjyqtarëve: Vendimi i Kushtetueses nuk negociohet, por zbatohet

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve në lidhje me bllokimin e pagave e magjistratëve dhe administratës gjyqësore.

Në nisje të mbledhjes, në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha se bllokimi i pagave “nuk është më një problem i administrimit financiar, por është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues”.

“Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij”, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”.

“Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre”, tha ai.

Kreu i GJL-së theksoi se statusin e gjyqtarëve e ka përcaktuar Kushtetuta.

“Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Sadushi theksoi se pas datës 31 korrik 2026 nuk mund të vijojë zbatimi i një formule page të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pezullojë efektet e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kryegjyqtari i Gjykatës së Lartë tha se e drejta e gjyqtarëve për pagë buron nga Kushtetuta dhe ligji dhe nuk mund të varet nga planifikimi buxhetor apo nga vullneti i administratës. Ai nënvizoi se mungesa e fondeve mund të kërkojë rishpërndarje apo shtesë financimi, por nuk mund ta kthejë një detyrim kushtetues në një detyrim fakultativ.

“Mosveprimi i Kuvendit nuk mund t’i japë ekzekutivit të drejtën të pezullojë efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Sadushi u ndal edhe tek administrata gjyqasore, duke shtuar se sekretarët gjyqësorë, kancelarët dhe punonjësit e gjykatave nuk duhet të mbajnë mbi familjet e tyre pasojat e një mosmarrëveshjeje institucionale.

“Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror”.

Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi gjithashtu se diferencat financiare nga 1 gushti 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri duhet të përfshihen në detyrimet e shtetit.

Sadushi shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton detyrimet financiare të prapambetura dhe se asnjë rregullim i ri ligjor nuk mund të përdoret për të neutralizuar të drejtat që kanë lindur ndërkohë.

“Prandaj, qëndrimi ynë nuk synon përplasjen, por zgjidhjen: zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, ekzekutimin e detyrimeve financiare të prapambetura, duke përfshirë diferencat që lindin deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe zgjidhjen e çdo çështjeje tjetër vetëm përmes mjeteve që parashikojnë Kushtetuta dhe ligji”, tha ai.

Sadushi bëri thirrje për zgjidhjen e situatës përmes mjeteve kushtetuese dhe ligjore, duke kërkuar respektimin e ndarjes së pushteteve dhe autoritetit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Mos e reduktojmë pra këtë çështje në një “përplasje për pagat”. Gjyqësori nuk po negocion me Qeverinë çmimin e pavarësisë së vet dhe as po kërkon njohjen e një të drejte të pakonfirmuar. Po kërkon zbatimin e rendit juridik ekzistues. Kur një pushtet kërkon respektimin e Kushtetutës dhe të një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, ai nuk krijon konflikt, por përmbush përgjegjësinë e vet kushtetuese. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk negociohet. Ai zbatohet”, tha ai.

Sipas Sadushit, duke mbrojtur pavarësinë e drejtësisë, mbrojmë të drejtën e çdo qytetari për të jetuar në një shtet ku çdo pushtet i nënshtrohet Kushtetutës dhe askush nuk qëndron mbi të.

Mbledhje e gjyqtarëve për çështjen e pagave - Foto: Florian Abazaj 1 nga 5

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›