E Diel, 1 Nëntor 2026

Saimir Tahiri shau Barjabën, por mbron babën

29-03-2013 / Nga Artur Bego

Saimir Tahiri kryesoi kryqëzatën morale të Edi Ramës kundër Kosta Barjabës, duke deklaruar se e dënojnë për shkak se vajza iu kap duke vjedhur në supermarket dhe ndalojnë çdo lloj bashkëpunimi me të. Por tani, Saimir Tahiri dhe Edi Rama shprehen krenarë për Bashkim Tahirin, edhe pse ai po hetohet nga prokuroria për organizimin e një rrjeti kontrabande për shitjen e ilaçeve. Solidariteti me hajdutin vepron kur në rrjet bie i përkëdheluri i Ramës dhe zëvendësohet prej moralit, kur publiku kap në flagrancë një peshk periferik të bandës opozitare


Askush nuk priste dje dënimin e Bashkim Tahirit. Ndërsa askush nuk priste edhe dystandartizimin, në trajtimin nga ana e PS-së e çështjes “familja Tahiri”, krahasuar me çështjen “familja Barjaba”.



Ndërsa Kosta Barjaba, “u flak” nga PS-ja, pse bashkëshortja e tij dyshohet se vodhi në një qendër tregtare, diku nga SHBA-ja, Saimir Tahiri, i biri i një të akuzuar për kontrabandë e evazion fiskal, shpallet “djalë i shkëlqyer, një deputet i denjë, një drejtues dinjitoz për PS e Tiranës”...



* * *   



Për turpin e tij, këtë dystandardizim, Saimir Tahiri e ka nxitur dhe e ka aplikuar vetë. Me pak fjalë, ai vetë “akuzon” dhe “bën asha” Kosta Barjabën, pse bashkëshortja e tij akuzohet se “ndyu dorën” për 238 dollarë dhe vetë, gati sa nuk var vetes dekoratën e “persekutimit politik”, pse babai i tij, akuzohet për kontrabandë e evazion fiskal.



Në fillim të këtij vitit, të gjithë mësuam për skandalin në të cilin u përfshi familjarisht Kosta Barjaba, në një qendër tregtare në SHBA. Reagimeve të shumta, post kësaj ngjarje, nuk i munguan edhe reagimet e PS-së, për “të larë duart” me Kosta Barjabën.



Duke e etiketuar si “vullnetar” dhe “pa lidhje” me PS-në, Kosta Barjaba u përjashtua familjarisht nga kjo parti.



Për çudinë e të gjithëve, “goditjen nën brez” i dha Saimir Tahiri, kryetari i PS-së së Tiranës.



Në datën 4 janar 2013, Saimir Tahiri, përmes një deklarate për shtyp konfirmonte lajmin në lidhje me nisjen e një procedure të plotë sqaruese ndaj familjes Barjaba, nga ana e Komisionit të Garancive Statutore të PS-së. 



Duke “vlerësuar pamundësinë që Fatbardha Barjaba të kontribuojë në çfarëdo roli për PS në kushtet kur mbi të rëndon një pozitë e papajtueshme me vlerat e familjes sonë politike”, Saimir Tahiri “rekomandonte”, pezullimin e saj.



Për të njëjta “vlera të familjes politike”, Saimir Tahiri, në të njëjtën deklaratë, tregohej cinik dhe msomirënjohës kur shprehej se, “sa për Kosta Barjabën, ai nuk është anëtar i Partisë Socialiste dhe besoj se normalisht nuk ka çfarë kontribuon më tutje...”.



Por standardi i “vlerave të familjes politike”, për Saimir Tahirin ndryshuan rrënjësisht kur babai i tij bashkim Tahiri u shfaq si “person publik” me një akuzë më të rëndë se dyshimi për vjedhjen në vlerën e 238 dollarëve nga familja Barjaba. 



Duket për Saimir Tahirin, vlerat e familjes politike”, zhvlerësohen kur bëhet fjalë për familjen Tahiri (tashmë jo familjen Barjaba) dhe për ndoca akuza edhe më të rënda, sikurse kontrabanda e evazioni fiskal që rëndojnë mbi babanë e tij.



Ndaj edhe ai zgjedh të bëjë indiferentin përballë mundësisë, që si kryetar i PS-së së Tiranës, të fillojë procedurat e plotë sqaruese ndaj familjes Tahiri, nga ana e Komisionit të Garancive Statutore të PS-së, pse jo edhe të vetëpezullojë vetëkontributin e tij në PS, “në kushtet kur mbi të rëndon një pozitë e papajtueshme me vlerat e familjes politike”...



* * *   



Përballë mundësisë për përdorimin e një standardi të vetëm si për çështjen “familja Barjaba” dhe për çështjen “familja Tahiri”, Saimir Tahiri, sigurisht edhe me “bekimin” e Edi Ramës, harron “vlerat e familjes politike” dhe nxiton të vetëshpallet si “i persekutuar politik”. Jo vetëm kaq, por përkundër edhe edukimit e formimit të tij gënjen nëpërmjet shtrembërimit të interpretimeve dhe procedurave ligjore, ndaj babait të tij.



Këtë e bëri edhe dje, në përfundim të seancës së “vleftësimit të masës së sigurisë” ndaj babait të tij, bashkim Tahiri.



Seanca e djeshme gjyqësore, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale (Ligji Nr. 7905, datë 21.03.1995, i azhurnuar), ishte thjesht dhe vetëm një “seancë vleftësimi” (neni 259 i këtij Kodi), për Bashkim Tahirin, e arrestuar nën akuzat e kontrabandës së medikamenteve mjekësore dhe avion fiskal.



Në bazë të këtij neni, saktësisht pika 3 e tij, sipas së cilës “Kur del se arrestimi ose ndalimi janë bërë në mënyrë të ligjshme, gjykata merr vendim për vleftësimin e masës”, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Bashkim Tahirit, ndërsa vendosi edhe “detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234, të po këtij Kodi.



Por çfarë ndodhi më pas...?!



I biri i Bashkimit, kandidati për “Doktor i Shkencave”, i diplomuar për Jurist pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, njëherazi edhe Master për të Drejtën Publike pranë Departamentit të së Drejtës Publike, “Avokati” Saimir Tahiri, me gjithë këtë “edukim” të stërzgjatur të CV-së së tij, vetëm si profesionist nuk u soll. Jo vetëm kaq, por “mori në qafë” edhe Edi Ramën, i cili si i pakulturë në fushën juridike, nxitoi dhe i dha “pafajësinë” babait të deputetit socialist.



Duke shfrytëzuar podiumin e PS-së, Saimir Tahiri, i biri i Bashkimit, dje foli si deputet i PS-së. 



Foli por gënjeu...



“Sot gjykata e Tiranës liroi babain tim, duke provuar se gjithçka dëgjuam nga policia, ishte një inskenim politik i denjë për regjime policeske diktatoriale…”, artikuloi dje Saimir Tahiri.



Këtu qëndron edhe gënjeshtra e tij… 



Sepse…, sepse…, gjithmonë në zbatim të Kodit të Procedurës Penale (Ligji Nr. 7905, datë 21.03.1995, i azhurnuar), parashikohen (nenet 227 – 243) “masat e sigurimit personal” të cilat vendosen (sipas nenit 227, pika 3), “a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës; b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet; c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet”.



Pjesë e “masave të sigurimit personal”, janë “masat shtrënguese” (neni 232), në të cilat renditen “a) ndalimi i daljes jashtë shtetit; b) detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore; c) ndalimi dhe detyrimi për qëndrimin në një vend të caktuar; ç) garancia pasurore; d) arresti në shtëpi; dh) arresti në burg; si edhe dhe e) shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik”.



Ndaj Saimir Tahiri, nuk ka pse të gënjejë, apo të ndjehet i ekzaltuar, pse babai i tij ndiqet penalisht për kontrabandë e evazion fiskal, ashtu sikurse nuk ka pse të ndjehet i ekzaltuar, pse babai i tij dje, nuk përfundoi në burg, apo edhe në spitalin psikiatrik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›