Saimir Tahiri takohet me homologun italian: Italia do mbështesë Shqipërinë për statusin
Edhe pse nuk e kanë marrë zyrtarisht detyrën, ministrat e mazhorancës së re kanë nisur nga takimet e tyre me personalitete të ndryshme. Kështu, ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me homologun e tij italian, Angelino Alfano. Sipas Tahirit, Alfano ka shprehur mbështetjen e Italisë për marrjen e statusit kandidat nga ana e Shqipërisë.
Ministri Alfano shprehu mbështetjen e plotë për qeverinë e re për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë dhe rrugën e Shqiperisë drejt integrimit europian.
Alfano u angazhua personalisht për të mbështetur Shqipërinë në të gjitha strukturat e BE, takimet dypalëshe me homologët e tij të BE, si dhe mbështetje të plotë për Shqipërinë në takimin e ardhshëm të Partive Popullore Europiane, ka thënë Tahiri.
Ministri i ri i Brendshëm thotë se e ka njohur homologun e tij italian për situatën e sigurisë në vend dhe i ka shprehur angazhimin e qeverisë së re, për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
I shpreha ministrit Alfano shqetësimin tonë për situatën e sigurisë publike në vend, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, duke i shprehur bindjen se një Shqipëri më e sigurtë, ka efekt të menjëhershëm në sigurinë rajonale dhe sigurinë e vetë Italisë.
E sigurova gjithashtu për vullnetin e kryeministrit Rama, Qeverisë dhe veçanërisht të Ministrisë së Brendshme, për të rikonceptuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve si sfida të përbashkëta e për ti adresuar ato me prioritet maksimal.
Ministri Alfano shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Shtetit me ekspertizë profesionale, logjistikë dhe infrastrukturë, duke fuqizuar urat e bashkëpunimit dhe misionet italiane që asistojnë policinë shqiptare sot.
E konsieruam sfidë të përbashkët intensifikimin e luftës kundër trafiqeve me synim daljen sa me shpejt të Shqipërisë nga klasifikimi “vend në vazhgim” në renditjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, shprehet Tahiri.
Dy ministrat kanë lënë ndërkohë një takim të dytë në shtator, për të detajuar një bashkëpunim më të hollësishëm./b.l
