E Diel, 1 Nëntor 2026

Sako takim me fermerët: Me rëndësi krijimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, zhvilloi sot një takim me fermerët e njësisë administrative Katundi i Ri, ku në fokus ishte krijimi i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) si një mekanizëm për forcimin e sektorit bujqësor.

Gjatë takimit, kryetarja Sako theksoi se organizimi i fermerëve në struktura të përbashkëta u mundëson atyre akses më të lehtë në mbështetje financiare, subvencione dhe programe të zhvillimit rural. Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të pushtetit vendor në thjeshtimin e procedurave administrative, ofrimin e asistencës teknike dhe përmirësimin e infrastrukturës bujqësore.

Sipas njoftimit të bashkisë Durrës, fermerët pjesëmarrës ndanë shqetësimet dhe nevojat e tyre, duke e konsideruar këtë nismë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në zonë.

Takimi u mbyll me një angazhim të përbashkët për vijimin e bashkëpunimit dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për krijimin e SHBB-ve funksionale në Katundin e Ri.

/e.i/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›