Sali Berisha denoncon qeverisjen socialiste: Partia e krimit po shkatërron Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë 2 të Tiranës, ku kritikoi ashpër qeverisjen e Partisë Socialiste dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion, ndikim të krimit të organizuar dhe pengim të rotacionit demokratik.
“Opozita ka mbijetuar furtuna dhe kurrë nuk është zhdukur. U ngritëm më të fortë, sepse qëndruam më të fortë me shqiptarët”, deklaroi Berisha, duke përmendur sfidat që sipas tij ka kaluar PD-ja gjatë viteve të fundit. Ai theksoi se gjatë periudhave kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet janë marrë vendime të vështira, gjithmonë në shërbim të një ideali, dhe përmendi rritjen e pagave, pensioneve dhe ndërtimin e infrastrukturës si arritje të qeverisjes së tij.
Megjithatë, Berisha shtoi se korrupsioni i qeverisë aktuale është shumë më i thellë. “Edhe gjatë qeverisjes sonë kishte korrupsion, por kishte luftë të madhe kundër keqqeverisjes. Tani korrupsioni ka kapur majat”, u shpreh ai.
Ai akuzoi Partinë Socialiste se ka lindur nga krimi dhe vazhdon të veprojë sipas interesave kriminale. Sipas Berishës, sistemi i patronazhistëve dhe ndikimi i krimit të organizuar kanë penguar rotacionin demokratik dhe kanë favorizuar manipulimin e zgjedhjeve. “Rama ka shndërruar zgjedhjet në farsë. Votat janë vjedhur në 2021 dhe 2025. Një qeveri që vjedh votat e qytetarëve nuk ka legjitimitet”, deklaroi kreu demokrat.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha dëgjoi shqetësimet e qytetarëve dhe ripërsëriti nevojën për të mbrojtur pluralizmin, demokracinë dhe ligjin në vend, duke u angazhuar për një opozitë aktive dhe vigjilente