Salianji: Rama dhe Berisha në “bashkëqeverisje”, kulla 55-katëshe prova e marrëveshjes së tyre politike

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha, duke pretenduar se të dy po veprojnë në bashkëpunim për interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike.
I ftuar në emisionin “Përballë Lajmit”, Salianji u ndal te projekti për ndërtimin e një kulle 55-katëshe pranë Pallati i Kongreseve, të cilin e cilësoi si dëshminë më të qartë të asaj që ai e quan “bashkëqeverisje” mes Ramës dhe Berishës.
Sipas tij, edhe pse publikisht paraqiten si kundërshtarë politikë, në prapaskenë të dy bashkohen kur bëhet fjalë për projekte të lidhura me ndërtimet dhe interesat financiare.
“PD për shkak të paqartësisë së Sali Berishës është komplet e paqartë. Deputetët që marrin pjesë në protestë legjitimojnë thirrjet për largimin e Edi Ramës dhe të Sali Berishës. Largimi i Berishës nga PD do të përshpejtonte fundin e Edi Ramës”, u shpreh Salianji.
Ai theksoi se protestat qytetare kanë sjellë një rënie të mbështetjes për qeverinë dhe se sipas tij ato po marrin vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.
Salianji deklaroi se Berisha nuk po vepron si opozitë, por si pjesë e një “bashkëqeverisjeje” me Ramën.
“Sali Berisha nuk është opozitë, është në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Qytetarët kërkojnë një Shqipëri europiane. Në fillim Berisha tha se protestën e organizon Sorosi, ndërsa sot publikon video nga lart, ndërkohë që në protestë ka edhe thirrje kundër tij”, tha ai.
Ish-deputeti ngriti pikëpyetje edhe për projektin e kullës pranë Pallatit të Kongreseve, duke kërkuar më shumë transparencë për investitorët dhe nevojën reale të një ndërtimi të tillë.
“Keni parë ndonjë qëndrim të Sali Berishës për kullën te Pallati i Kongreseve? Janë në bashkëqeverisje. Kjo protestë është për të larguar këtë klasë politike. Duhet një qëndrim i qartë nga PD. A është e domosdoshme kjo kullë 55 kate? A ka transparencë për investitorin dhe seriozitetin e projektit? Nuk shoh të ketë qëndrime”, deklaroi Salianji.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh politike dhe protestash qytetare, ku një pjesë e protestuesve kanë artikuluar kërkesa jo vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj klasës politike në tërësi.