E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla në Durrës: Fermerët bashkohen për të rritur konkurrueshmërinë në kultivimin e drithërave

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, prezantuan krijimin e Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) për kulturat e drithërave, misrit dhe grurit, një nismë që synon rritjen e organizimit dhe konkurrueshmërisë së fermerëve.

Sipas ministrit Salla, modeli i ri u mundëson fermerëve të ruajnë pavarësinë në prodhim, ndërsa tregtimin duhet ta realizojnë në mënyrë të përbashkët.

“Përmes këtij modeli, fermerët prodhojnë dhe shesin së bashku, duke ulur kostot, rritur eficiencën dhe përmirësuar aksesin në treg”, u shpreh Salla.

Ai theksoi se mbështetja për këtë model do të vijojë në të gjitha bashkitë e vendit.

“Do të vijojmë mbështetjen për krijimin e SHBB-ve sipas produkteve prioritare në të 61 bashkitë e vendit, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare”, shtoi ministri.

Sipas tij, regjistrimi në SHBB do t’u japë fermerëve akses më të gjerë në skemat kombëtare të mbështetjes, të cilat, siç tha, mbulojnë 100% aplikimet për këto struktura bashkëpunimi, ndërsa po shqyrtohen edhe lehtësira të mundshme fiskale për këto subjekte.

“Kontratat e bashkëpunimit në kuadër të SHBB-ve përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të sektorit dhe rritjes së prodhimit dhe eksporteve bujqësore në vend”, tha ai.

Nga ana e saj, kryebashkiakja Emiriana Sako vlerësoi rëndësinë e organizimit të fermerëve dhe mbështetjen institucionale për zhvillimin e sektorit bujqësor në Durrës.

“Bashkia Durrës mbështet nisma të tilla që nxisin bashkëpunimin e fermerëve dhe krijojnë mundësi më të mira për zhvillimin e aktivitetit bujqësor”, tha Sako.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›