E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samaras:Greqisë i nevojiten dhe 6 vjet kohë

“Greqisë i nevojiten dhe 6 vjet kohë që të rikthehet në situatën para krizës”.  Kjo ishte deklarata e kryeministrit grek Andonis Samaras i cili theksoi se vendi ende nuk ka dalë nga tuneli.  Samaras theksoi se 14 muajt e fundit imazhi i Greqisë ka ndryshuar dhe janë realizuar reforma kolosale. Kryeministri grek  iu referua gjerësisht trysnive nën të cilat është ndodhur demokracia vazhdimisht nga populizmi dhe theksoi se ekstremistët po përpiqen të përfitojnë nga dëshpërimi i njerëzve.

“Sa ekstremizmi, edhe populizmi flasin në emër të popullit, vetëm për të shkatërruar interesin publik. Që të dy flasin në emër të kombit vetëm në dëm të interesave kombëtarë. Dhe që të dy flasin në emër të gjithë shoqërisë, vetëm që ta nënshtrojnë shoqërinë nën gjithë llojet e tiranive, që zakonisht paraqiten si shpëtimtare”, theksoi Samaras.

Por nënpunësit e sektorit shtetëror në Greqi kanë filluar prej mëngjesit të së hënës një valë të gjerë protestash ndaj transferimeve të përkohshme në poste të tjera dhe më pas të pushimeve nga puna të mijëra grekëve, një prej masave më ekstreme të kërkuara nga ekspertët e trojkës me qëllim zvogëlimin e këtij sektori dhe reduktimin e shpenzimeve.

Një grevë tjetërpesëditore kanë filluar nënpunësit e zyrave të sigurimeve shoqërore, të asistencës socilale, të shërbimeve të Ministrisë së Punës, si dhe sindikata e mësuesve në të gjithë vendin, që ka mbyllur shkollat vetëm dy ditë pas hapjes së tyre.  Prej së martës për më se tre ditë, në grevë të përgjithshme do të jenë edhe mjekët e spitaleve të vendit, që protestojnë ndaj reformave në këtë sektor.

Vala e re e grevave në Greqi ka filluar, ndërsa pritet në ditët e ardhshme të mbërrijnë edhe pjesa kryesore e ekspertëve të trojkës, të cilët do të bëjnë vlerësimin e ecurisë së reformave dhe pritet të kërkojnë dhe masa të tjera të ashpra në vend.  Qeveria greke ka deklaruar se deri në fund të shtatorit do t’i nënshtrohen transferimeve e më pas do të pushohen mbi 12.500 nënpunës, kryesisht nga ndërmarrjet gjysëmshtetërore, bashkitë e vendit, sektori i shëndetësisë dhe zyrat e sigurimeve shoqërore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›