E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti, Lamallari: Të krijojmë një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi për kontributin e diasporës në zhvillimin e vendit

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi rëndësinë e angazhimit të qytetarëve dhe diasporës në drejtimin e vendit dhe proceset demokratike.

Në Samitin e IV të Diasporës, Lamallari tha se duhet një bashkëpunim mes shtetit dhe qytetarëve jashtë në mënyrë që vendi të vijojë transformimin e tij drejt vizionit të anëtarësimit në BE.

Në përputhje me strategjitë kombëtare deri në vitin 2030, Lamallari tha se synohet rritja e përfshirjes së diasporës në zhvillimin e vendit, si dhe forcimi i lidhjeve të saj me Shqipërinë.

“Me mundësimin e votës për qytetarët jashtë vendit, shumë qytetarë shqiptarë kanë pasur mundësinë të bëjnë zgjedhjen e tyre se kush mund ta drejtojë këtë vend dhe shërbimi i gjendjes civile ka pasur një rol kyç në këtë aspekt. I gjithë vizioni ynë për ta çuar vendin përpara bëhet vetëm përmes marrjes së përgjegjësisë së përbashkët të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë”, u shpreh ai.

Në këtë kuadër, Lamallari theksoi rëndësinë e krijimit të një hapësire të qëndrueshme dialogu dhe bashkëpunimi, e cila nxit besimin, përfshirjen aktive dhe ndjenjën e përkatësisë, duke inkurajuar kontributin e drejtpërdrejtë të diasporës në zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit.

Këto deklarata u bënë në kuadër të panelit mbi “Migracionin dhe politikat e riatdhesimit”, të organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Paneli u fokusua në menaxhimin e migracionit dhe rritjen e angazhimit të diasporës shqiptare përmes një qasjeje të integruar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›