E Martë, 3 Nëntor 2026

Samiti diasporës, ministri Hasani: Me rëndësi regjistrimi i “Motit të Madh” në listën e UNESCO-s

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë Samitit të 3-të të Diasporës në Pallatin e Kongreseve, u shpreh se ky është një moment domethënës për marrëdhëniet mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve arbëreshe në Itali.

Sipas tij, ishin komunitetet arbëreshe vatrat ku u ndezën fillimisht shkëndijat e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare si vatra e  kolegjit të Shën Benedetit të Ulanos apo i Shën Adrianit, ku mori udhë rizgjimi i vetëdijes sonë kombëtare. 

“Zgjodhëm ta mbajmë Ditën Arbëreshe sot, në Ditën e Alfabetit, sepse 22 nëntori mbart një simbolikë të veçantë. Shkëndijat e rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare që erdhën nga arbëreshët, forcuan përpjekjet e patriotëve dhe dijetarëve tanë edhe për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 115 vjet më parë.”, tha Hasani në fjalën e tij.

Sipas ministrit, Kongresi i Manastirit është pa dyshim, një monument i historisë së popullit shqiptar, i lidhur ngushtë me procesin e formimit të ndërgjegjes dhe të unitetit kombëtar.  

“Prandaj është me vend që sot të nderojmë punën e palodhur të arbëreshëve për gjuhën e kujtesën, këtë traditë që vazhdon edhe sot falë përkushtimit të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Itali, nga l’Orientale e Napolit e deri në Palermo, nga Kozenca e deri në Romë e Venecie, nga Salento e deri në Bolonjë. Këto katedra janë laboratorë të mirëfilltë të kërkimit shkencor për gjuhën shqipe e asaj arbëreshe në veçanti.”, theksoi Hasani.

Ai, me këtë rast, ka falenderuar të gjithë ata kryetarë të komunave arbëreshe, këshilltarë, organizata, për Fondacionin Solano, Fondacionin e Komunave Arbëreshe të Kalabrisë, Federatën e Shoqatave Arbëreshe dhe të gjithë ato gra e burra që punojnë me ide dhe nisma konkrete për të promovuar zhvillimin kulturor, gjuhësor, ekonominë dhe turizmin e Arbërisë italiane. 

Hasani theksoi gjatë fjalës së tij se dita Arbëreshe është një ftesë për të eksploruar bashkërisht mënyrat sesi mund të bëjmë më shumë në çdo fushë, që nga gjuhësia, historia e kultura, e deri tek shkëmbimet apo partneritetet mes institucioneve e organizatave të shoqërive tona civile.   

“Si mund të punojmë së bashku në projekte të një rëndësie të veçantë siç është regjistrimi i “Motit të Madh” në listën e UNESCO-s, –  ku Shqipëria ulet sot në Bordin Drejtues – për të gjetur format më efikase të ndërveprimit mes bashkive tona e komunave arbëreshe, apo për të vendosur e konsoliduar lidhjet mes komuniteteve arbëreshe e komunitetit shqiptar të emigruar ndër vite në Itali. Është kjo mbështetje dhe investim tek lidhjet e gjithanshme njerëzore, institucionale, ekonomike, akademike e të shoqërisë civile, garancia më e mirë e ruajtjes të gjuhës dhe kulturës arbëreshe për brezat që do të vijnë. Breza që nuk do të na e falnin nëse ne nuk veprojmë sot me ide e projekte të qarta për të ruajtur këtë thesar me të cilin krenohemi kudo që jemi.”, deklaroi ministri i Jashtëm, Hasani.

Sipas tij, Shqipëria ka sot mundësi reale të bëjë atë që për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij nuk ka pasur mundësinë ta bëjë: t’ju mbështesë me forma e mënyra konkrete.

“Sigurisht në bashkëpunim e partneritet të ngushtë me Italinë e cila, historikisht ka treguar për komunitetet arbëreshe një vëmendje e kujdes të veçantë, dhe për këtë meriton mirënjohjen tonë. Jam i bindur që diskutimet që janë mbajtur sot në panele do t’i shërbejnë këtij synimi të përbashkët dhe ju siguroj për angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të qenë kurdoherë pranë jush.”, theksoi Hasani në mbylljet të fjalës së tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›