Samiti i Diasporës, Begaj: Jeni ambasadorët tanë më të mirë. Dekorohen 4 personalitete

Në ceremoninë e mirëseardhjes të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare, Presidenti i Republikës Bajram Begaj mbajti një fjalim përshëndetës.
Sipas kreut të shtetit, Diaspora është ambasadori më i mirë i vendit, ndërsa shtoi se, ajo duhet bërë pjesë organike e sistemit tonë.
“Samiti i Diasporës zhvillohet, në një moment kyç për Shqipërinë, kur po hyjmë në BE. Diaspora duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për të ardhmen. Shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë e vendit. Shqiptarët janë kudo, nga majat e Inteligjencës Artificiale tek institucionet ndërkombëtare, tek sipërmarrjet e suksesshme, skenat e artit dhe tek universitetet e botës.
Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni me krenari. Na duhet më shumë punë, të bëjmë më shumë për Shqipërinë, që është vendi ynë. Diaspora është partner në bashkëpunim. Ne synojmë që të kthejmë kursimet tuaja në kapital zhvillimi në çdo fuashë. Ne duam që diaspora jonë të jetë partnere e së ardhmes së Shqipërisë”, u shpreh Begaj.
Nga Lorik Cana te Gërxhani e Toshkezi, Presidenti Begaj dekoron personalitete të ndryshme të Diasporës shqiptare
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekoruar sot disa personalitete të Diasporës shqiptare, gjatë Samitit të Diasporës të mbajtur në Tiranë.
- Gentian Toshkezi u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin Suprem të Shqiponjës’.
- Futbollisti Lorik Cana u dekorua nga Presidenti Begaj me titullin ‘Kalorës në Urdhërin e Skënderbeut’.
- Klarita Gërxhani u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’.
- Shqiponja Telhaj po ashtu u dekorua nga Presidenti Begaj me ‘Urdhërin e Kalorësit Lisit Akademik’.
Samiti i Diasporës këtë vit vjen me sloganin “Lartësojmë rrënjët tona”, ndërsa ditët kryesore të tij do të jenë nesër dhe pasnesër.
Pikërisht nesër pritet që të flasë ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ndërsa do të flasë dhe kryeministri Edi Rama, që do shpalosë vizionin e tij, sa i përket, thirrjes së Samitit, që e ka cilësuar si dritare dialogu mes Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Agjenda e Samitit: Samiti i IV-të i Diasporës 1 (1)