E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sanchez njofton masat pas përmbytjeve – Paketë ndihme për viktimat dhe rindërtimin, kërkohet mbështetje nga BE

Një javë pas përmbytjeve historike që shkatërruan provincën e Valencias, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi një paketë masive ndihme për të ndihmuar banorët dhe bizneset e prekura në përpjekjet për rindërtim dhe përshtatje me ndryshimin e klimës.

Sanchez tha se pagesat e sigurimeve pritet të arrijnë një shifër të paprecedentë prej 3.5 miliardë euro dhe se 70 mijë kërkesa janë bërë tashmë. “Spanja gjithmonë i ka ofruar ndihmë Bashkimit Evropian kur ka pasur nevojë, por tani, Spanja po kërkon ndihmë”, tha Sanchez, duke njoftuar se vendi ka kërkuar ndihmë nga Fondi i Solidaritetit të BE-së.

“Ndryshimi i klimës vret dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj. Ne do të çojmë përpara një transformim për të përshtatur territorin me emergjencën klimatike, e cila fatkeqësisht prek veçanërisht zonën tonë të dashur mesdhetare” shtoi ai.  Të martën e kaluar, stuhi të fuqishme shkaktuan reshje rekord, duke bërë që lumenjtë të dalin nga brigjet e tyre dhe ujërat e rrëmbyeshëm të rrjedhin me shpejtësi drejt detit.

Alarmet e urgjencës mbërritën shumë vonë dhe banorët në shumicën e zonave u kapën në befasi. Deri më tani raportohet për 217 viktima dhe autoritetet janë ende duke u dhënë përparësi misioneve të kërkimit dhe shpëtimit.  Ndërkohë numri i të zhdukurve ende nuk është bërë publik.

Një personel ushtarak dhe policë prej gati 15 mijë personash janë në terren duke punuar për të gjetur të zhdukurit, për të ruajtur sigurinë dhe për të rivendosur higjienën dhe shërbimet bazë në zonat e prekura.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›