“Sanksionet godasin Rusinë”, zyrtari amerikan në Beograd: Nuk kanë lidhje me Serbinë

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime Richard Verma ka deklaruar këtë të shtunë se sanksionet ameriklane ndaj Industrisë së Naftës serbe nuk synojnë Serbinë por Rusinë.
Deklaratat Verma i bëri gjatë një konference të përbashkët me presidentin serb, Vuçiç në Beograd.
“Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga NIS nuk investohen në Serbi. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë në më shumë paqe në rajon”, tha Verma.
Ai theksoi se NIS-i është një nga 2.000 kompanitë në pronësi ruse ndaj të cilave SHBA ka vendosur sanksione.
Presidenti serb tha në deklaratë se fakti që penalizimet nuk kanë për qëllim Serbinë, është një ngushëllim i dobët.
“Duhet ta dimë saktësisht se cilat janë kushtet, dhe pastaj do të mund të flasim me palën ruse për gjithçka. Do të ketë naftë, benzinë, të gjitha derivatet, por ne nuk do ta konfiskojmë pronën e dikujt, ne do ta paguajmë çmimin”, tha Vuçiç.
Industria e Naftës se Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.