Sarah Mullally emërohet Kryepeshkope e Canterbury-t, rasti historik për Kishën e Anglisë

Sarah Mullally u emërua këtë të premte (3 tetor) si Kryepeshkopja e re e Canterbury-t, duke u bërë gruaja e parë që mban këtë rol në historinë 1400-vjeçare të saj.
63 vjeçarja Mullally, u bë Peshkope e Londrës në vitin 2018 – peshkopja e tretë më e lartë e Kishës së Anglisë pas kryepeshkopëve të Canterbury-t dhe York-ut. Përpara shugurimit të saj, Mullally punoi si infermiere në spitale në Londër, duke shërbyer më pas si Kryeinfermiere për Anglinë.
“Ndërsa i përgjigjem thirrjes së Krishtit për këtë shërbesë të re, e bëj këtë me të njëjtën frymë shërbimi ndaj Perëndisë dhe ndaj të tjerëve që më ka motivuar që kur erdha në besim për herë të parë si adoleshent. Në çdo fazë të atij udhëtimi, përmes karrierës sime si infermiere dhe shërbesës së krishterë, kam mësuar t’i dëgjoj thellësisht – njerëzit dhe nxitjen e butë të Zotit – për të kërkuar t’i bashkoj njerëzit për të gjetur shpresë dhe shërim”, tha Mullally.
Mullally do të kryesojë një institucion që përpiqet të mbetet i rëndësishëm në një komb më laik, duke u përpjekur të kapërcejë përçarjet midis krahëve të tij më konservatorë dhe liberalë, dhe duke luftuar për të rifituar besimin pas një skandali të fshehjes së abuzimit me fëmijë.
Ish-kryepeshkopi, Justin Welby dha dorëheqjen vitin e kaluar për shkak të mosraportimit të John Smyth, i cili u akuzua për abuzim fizik dhe seksual të dhjetëra djemve, përfshirë ata që takoi në kampet e krishtera, në vitet 1970 dhe 1980. Një raport i pavarur dënues zbuloi se deri në vitin 2013 Kisha e Anglisë “dinte, në nivelin më të lartë”, për abuzimin e Smyth, përfshirë Welbyn, i cili u bë kryepeshkop atë vit.
/rtsh.al/