Saranda pa mjek ligjor, kufomat mbeten në morg
SARANDË - Prej disa ditësh trupi i pajetë i emigrant Odise Sterjo gjendet në morg, në pritje të një eksperti mjeko-ligjorë që të lëshojë 'urdhrin' për marrjen e trupit të të ndjerit nga familjarët.
Spitali i Sarandës është i detyruar ligjërisht të mos kryejë asnjë veprim pa lejen e mjekut ekspert, që duhet të udhëtojë me orë të tëra nga Gjirokastra, për të bërë ekspertizën dhe të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Për mungesë të mjekut të këtij specialiteti kufoma duhet të presë,e së bashku me të edhe të gjallët e dërmuar nga mërzia e lodhja e pritjes së mjekut-ekspert që duhet të vijë nga spitali rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër.
Para morgut familjarët që humbën pa pritur njeriun e tyre, vazhdojnë të presin me ditë të tëra në dyert e spitalit të Sarandës. Drejtues të spitalit thonë se ky nuk është rasti i vetëm dhe kanë kërkuar një mjek-ligjor, pasi edhe ai që kryente këtë detyrë, para pak kohësh ka iku në Tiranë, duke e lënë shërbimin pa ekspert.
Emigranti i ardhur ishulli grek i Korfuzit për të kaluar fundjavën në vendlindje, u nis nga porti i Sarandës për në fshatin e lindjes, në komunën malore të Dhivrit. Në fshatin Krane, ai papritur ka pësuar infarkt miokardi, duke vdekur në rrethana ende të paqarta.
Familjarët presin që nga dita e hënë për të tërhequr trupin e të nderit, për ti bërë nderimet e duhura të afërmit të tyre, e për ta përcjellë sipas traditës në banesën e fundit.