Sarrazin: Nevojiten kompromise jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë

PRISHTINË, 29 gusht /ATSH/ Emisari special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, deklaroi se duhen kompromise jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kjo deklaratë u bë nga Sarrazin sot para medieve, pasi përfundoi takimet në Kosovë, ku theksoi nevojën e bashkëpunimit të vendeve të rajonit për tregti të përbashkët, duke shtuar se iu ka kërkuar vendeve kompromise për lirinë e mallrave, parasë dhe tregtisë në rajon.
Megjithatë, ai shprehu shqetësimin, për siç tha, se ende vendet e rajonit nuk janë në nivelin e duhur për të sjellë rezultate konkrete të bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në tetor do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku do të mblidhen përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian, në kuadër të dhjetë vjetorit të kësaj nisme.
Emisari gjerman gjatë ditës është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi (PDK) dhe Lumir Abdixhiku (LDK).
/KosovaPress/