E Martë, 3 Nëntor 2026

Schummer kërkoi zgjedhje të reja, reagon partia e Netanjahut: Izraeli s’është republikë bananeje

Partia Likud e Benjamin Netanjahut ka reaguar pas deklaratave të kreut të shumicës në Senat, Chuck Schumer duke thënë se duhet të respektojë qeverinë e zgjedhur të Izraelit.

Duke iu referuar deklaratave të Schumerit i cili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael, partia Likud e Netanjahut ka theksuar se Izraeli nuk është republikë bananeje.

“Izraeli nuk është një republikë bananeje, por një demokraci e pavarur dhe krenare që zgjodhi kryeministrin Netanyahu. Në kundërshtim me fjalët e Schumer, publiku izraelit mbështet një fitore totale ndaj Hamasit” dhe “kundërshton kthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza”, thuhet në deklaratën e Likud.

Ndërkohë, ministri izraelit i kabinetit të luftës dhe kreu i partisë së Unitetit Kombëtar Benny Gantz kanë reaguar ndaj deklaratave të Schummer duke theksuar se ai “është një mik i Izraelit, i cili e ndihmon shumë atë, edhe në këto ditë, por ai gaboi në deklaratën e tij. Izraeli është demokraci e fortë dhe vetëm qytetarët e tij do të përcaktojnë udhëheqjen e të ardhmen e tij. Çdo ndërhyrje e jashtme në këtë çështje nuk është e drejtë dhe e papranueshme”

Schumer, zyrtari më i lartë i zgjedhur hebre në SHBA, tha të enjten se “si një mbështetës i përjetshëm i Izraelit, më është bërë e qartë: koalicioni Netanjahu nuk i përshtatet më nevojave të Izraelit pas 7 tetorit”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller tha se ai nuk beson se vërejtjet do ta bëjnë më të vështirë për SHBA-në të komunikojë me Netanjahun, duke theksuar se izraelitët e dinë se komentet nuk erdhën nga dega ekzekutive.

Ndërkaq, në raportin vjetor komuniteti i inteligjencës amerikane vlerësoi se mosbesimi në udhëheqjen e Netanjahut është thelluar dhe zgjeruar në të gjithë publikun nga nivelet e tij të para luftës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›