E Hënë, 2 Nëntor 2026

Seanca vendimtare për Lapajn, Kolegji vendos të hënën për fatin e mandatit

Seanca vendimtare për fatin e mandatit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” zhvillohet të hënën në orën 10:00 në Kolegjin Zgjedhor.

Kreu i këtij subjekti politik, Adriatik Lapaj, ka depozituar më 4 gusht një ankim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, duke kontestuar vendimet e KQZ-së dhe KAS-së, që e lënë atë jashtë Kuvendit.

Lapaj kërkon të njihet si fitues i listës së hapur me votat preferenciale për qarkun e Tiranës dhe mosnjohjen e dorëheqjeve të revokuara më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni dhe Kleana Xhuveli.

Më 23 korrik, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që mandati i vetëm i fituar nga Nisma “Shqipëria Bëhet” t’i jepet Kleana Xhuvelit, e renditur e 4-ta në listën e mbyllur të subjektit. Por më 30 korrik, KAS-i e rrëzoi këtë vendim dhe mandati iu kalua të parës së listës së mbyllur, Ana Dajkos, duke anuluar vendimin paraprak dhe dorëheqjet.

Seanca e 25 gushtit do të vendosë nëse Adriatik Lapaj do të hyjë në Kuvend, duke përcaktuar fatin e mandatit dhe interpretimin e rregullave për listat e hapura dhe mbyllura.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›