E Diel, 1 Nëntor 2026

Seancë dëgjimore me tetë kandidatë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat kanë vijuar sot, seancat dëgjimore me dhjetë kandidatë të vetofruar për plotësimin e tre vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në seancën e sotme u prezantuan kandidatët: Liljana Mamadhaj, Luljeta Minxhozi, Elton Korbi, Violeta Staka, Holta Zaçaj, Ingrid Konomi, Pajtim Melani, Selami Xhepa.

Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi në fund të seancës, tha se dy kandidaturat që kanë shprehur më herët interes, Frosela Filo dhe Artan Hoxha nuk janë paraqitur në seancën dëgjimore të ditës së sotme.

“Duhet të mbledhim 28 firma, që të paraqitet kandidatura më pas për votim në Kuvend. Ka një rënie dakord mes komisioneve që të presim një periudhë 10-ditore për grumbullimin e 28 firmave dhe kalimin më pas në Kuvend”, tha Ekonomi.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shpallur tre vende vakante, për të cilat kanë shprehur interes gjithsej 19 kandidatë.

Në garë janë edhe tre anëtarët aktualë, të cilëve u ka përfunduar mandati: Luljeta Minxhozi, Violeta Staka dhe Artan Hoxha.

Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pesë prej anëtarëve propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës.

Ligji përcakton se kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmëri dhe integritet moral, të kenë arsim të lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në fushën financiare dhe bankare, si dhe kualifikime të përshtatshme profesionale. Po ashtu, kërkohet përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

Komisioni i Ekonomisë, Foto: Florian Abazaj 1 nga 5

/e.i/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›