Seance e veçantë, gratë deputete apel kundër dhunës
TIRANË - Kuvendi zhvilloi sot një seancë të veçantë për të apeluar kundër dhunës ndaj grave. Kryetarja, Jozefina Topalli tha se seanca e sotme është për gratë që vuajnë dhunën në ditët e sotme.
Sipas saj, dhunimi i të drejtave të njeriut, është një akt për të cilën shoqëria duhet të reagojë. "Shoqëria duhet të ketë tolerancë zero për dhunën ndaj gruas. Dhuna ndaj grave është destruktive dhe mizore", shtoi Topalli.
Më tej, foli deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, e cila theksoi se "është koha për t'i dhënë fund dhunës. Për t'i thënë ndal fyerjes ndaj gruas". Bulku ftoi deputetet e PS-së të kthehen në Kuvend për të mbrojtur të drejtat e grave. "Ftoj koleget deputete të PS-së të vijnë në Kuvend për të mbëshetur me ligje gratë në nevojë duke shprehur bindjen që do japim maksimumin që problemet e tyre të jënë prioritet ynë", theksoi deputetja Bulku.
Ndërsa deputetja tjetër, Albana Vokshi tha se dhuna ndaj gruas po merr përmasa pandemike. "Një në tre gra në botë dhunohen. Ndaj është koha t'i themi ndal dhunës", u shpreh ajo. Sipas Vokshit, fenomeni i dhunës ndaj grave në Shqipëri po vihet re edhe në nivelet më të larta politike. Edhe Vokshi ftoi deputetet e opozitës që të kthehen në Kuvend që të dëgjohet zëri i të gjitha grave. "Deputetet e opozitës të tregojnë duke hyrë në Kuvend se interesat kombëtare janë më të mëdha se interesat klanore të liderit të opozitës", përfundoi ajo.