Sejdiu:Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO,sjell stabilitet
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i ka dërguar një mesazh urimi homologut Bamir Topi, për anëtarësimin në NATO, duke theksuar se anëtarësimi do të jetë një faktor stabiliteti për rajonin. "Sot, unë kam kënaqësinë e jashtëzakonshme që në emrin tim dhe në emër të popullit të Republikës së Kosovës, t'ju uroj juve dhe nëpërmjet jush gjithë popullit shqiptar anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO. Ky akt madhor dhe i shumëpritur e shndërron përfundimisht rajonin tonë në një faktor të rëndësishëm të paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës Juglindore",shkruan Sejdiu në telegramin e tij.Sipas kreut të shtetit të Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e shkëlqyeshme e institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë, e cila do t'u shërbejë si shembull edhe vendeve të tjera të rajonit që synojnë të anëtarësohen në Aleancën Euroatlantike.