Sejko: Ekonomia pas pandemisë po merr një kthesë drejt përmirësimit

Ekonomia shqiptare vijon të përballet ende me pasojat e pandemisë COVID-19 dhe ndikimin e saj në konsum, investime, punësim dhe në borxhin publik, treguesit kryesorë ekonomikë, tashmë kanë marrë një kthesë drejt përmirësimit. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, takimin përmbyllës online me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga YanSun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë.
Në vijim, lidhur me tregjet financiare, Guvernatori shtoi se kushtet monetare në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten akomoduese, ato operojnë të qeta, kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të financojë bizneset dhe familjet.
FMN-ja vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare nga Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke i shërbyer nxitjes së konsumit dhe investimeve, çka do të kontribuojë më tej në rritje të punësimit e të pagave, në linjë me objektivin e inflacionit të përcaktuar nga banka.
Më tej, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së diskutuan mbi prioritetet e politikave ekonomike. Gjatë diskutimeve, ata ranë dakord se politikat monetare e fiskale duhet të vijojnë të mbeten stimulues gjatë vitit në vazhdim, me synim ofrimin e mbështetjes së duhur për rritjen ekonomike.
Në një horizont afatgjatë, përfaqësuesit e FMN-së theksuan nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike, si instrumente që do të mundësojnë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.