Sejko: Rrezik nga inflacioni, nëse vijon të rritet do të ndërhyjmë sërish për normën e interesit

Mes rritjes së normës bazë të interesit për lekun, duke shtrenjtuar kostot e kredisë, dhe rritjes së inflacionit, Banka e Shqipërisë sheh si rrezik më të madh për ekonominë shqiptare këtë të fundit. Për këtë arsye, nëse inflacioni vijon të rritet, Guvernatori Sejko paralajmëroi se normalizimi i politikës monetare do të vazhdojë edhe vitin tjetër.
GENT SEJKO
GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERSE
“Rritja e çmimeve do të godiste rëndë qytetarët, konsumin dhe bizneset prandaj duhet të frenohet inflacioni. Nëse inflacioni rritet pa kufi, nuk do të ketë vlerë as rritja e pagave. Rritja e çmimeve do të godiste më shumë ekonominë sesa rritja e normës së interesit. Rritja e normës së interesit transmetohet pas 2-3 muajsh në ekonomi. Kemi një normë interesi akomoduese. Nuk parashikojmë që norma e interesit të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike. Nëse norma e inflacionit do të rritet më shumë, do të jemi të detyruar të shtrëngojmë politikën monetare.”
Në çdo rast, ndërhyrja e radhës e Bankës Qendrore në normën e interesit do të varet nga kursi i këmbimit.
GENT SEJKO
GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE
“Nëse kursi i këmbimit do të jetë i fortë, do të na ndihmojë të mos shtrëngojmë më tej. Nëse ne nuk do të kishim këtë kurs këmbimi, do të ishim të detyruar të rrisnim normën e interesit me 2.5-3 përqind. Norma e interesit do të ishte 5%. Kjo do të reflektohej në koston e kredive dhe të depozitave.”
Në komentet që bëri për projektbuxhetin e vitit 2024 në Komisionin e Ekonomisë, Sejko kërkoi rishikimin e ligjit për pensionet, në përshtatje edhe me ndryshimet demografike.
GENT SEJKO
GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE
“Ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.”
Banka e Shqipërisë apeloi qeverinë që të tregohet e kujdesshme me përjashtimet tatimore për grupe të caktuara, ndërsa e kritikoi se shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend është e ulët krahasuar me rajonin.