E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sekretari amerikan i Mbrojtjes vizitë në Izraelin, Gjermaninë, Belgjikën dhe Britaninë

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin do të niset nesër nga Washingtoni për takime me udhëheqësit e qeverisë dhe ushtrisë në Izrael, Gjermani, selinë e NATO-s në Belgjikë dhe në Britani të Madhe.

“Sekretari Austin do të takohet me homologët e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të mbrojtjes dhe të forcojë angazhimin e SHBA-së për parandalimin dhe mbrojtjen, ndarjen e barrës dhe sigurinë e qëndrueshme trans-atlantike”, tha Pentagoni në një deklaratë.

Në Izrael, Austin “do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Benjamin Gantz për të vazhduar konsultimet e ngushta mbi prioritetet e përbashkëta dhe për të riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së për partneritetin strategjik SHBA-Izrael, thuhet në deklaratë.

Austin në Gjermani do të takohet me homologun e tij gjerman, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Këshilltarin e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Kancelarisë dr. Jan Hecker.

Shefi i Mbrojtjes do të përforcojë vlerën që SHBA-ja i kushton marrëdhënieve të saj dypalëshe të mbrojtjes me Gjermaninë.

“Temat tjera të diskutimit përfshijnë luftimin e ndikimit malinj të rivalëve tanë të përbashkët strategjikë dhe dialogun e vazhdueshëm mbi qëndrimin e forcës amerikane në Gjermani dhe gjetkë”, shtoi ai.

Austin po ashtu do të vizitojë komandat evropiane të SHBA-së dhe komandën amerikane në Gjermani për t’u takuar me trupat amerikane.

Ai do të vizitojë Belgjikën për t’u takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg “mbi mënyrën se si Aleanca po trajton sjelljen destabilizuese të Rusisë, një Kinë në rritje, terrorizmin dhe sfidat globale të tilla si COVID-19 dhe ndryshimet klimatike”.

Në pjesën e fundit të turneut të tij, sekretari amerikan i Mbrojtjes do të vizitojë Britaninë e Madhe ku do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Mbrojtjes, Ben Wallace “për të riafirmuar rëndësinë e vazhdueshme të bashkëpunimit të mbrojtjes SHBA-Britani e Madhe për të përmbushur sfidat e sigurisë globale”, theksohet më tej./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›