Sekretari britanik i Mbrojtjes në Kiev, Zelensky udhëton drejt Turqisë

Sekretari britanik i mbrojtjes, Grant Shapps ka udhëtuar drejt Kievit me qëllim ngritjen e alarmit për atë që po ndodh në Ukrainë prej luftës ruse.
Shapps deklaroi se Ukraina duhet të fitojë luftën ndërsa dha mesazhin e qartë se “kjo është një thirrje zgjimi për botën”.
“Çfarë do të thotë, nëse lejojmë që një vend demokratik të pushtohet nga një diktator si Putin? Çfarë do të thoshte për vlerat tona të lirisë dhe demokracisë?
Dhe nuk duhet të jetë kështu. Sepse ne i kemi lehtësisht burimet e perëndimit, nëse kemi vullnet. Pra, mesazhi është i thjeshtë: kjo është një thirrje zgjimi për botën. Le të sigurohemi që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shkruan Shapps në rrjetet sociale.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) do të udhëtojë këtë të premte (8 mars) drejt Turqisë për t’u takuar me homologun Recep Tayyip Erdoğan .
Turqia pritet të nënvizojë mbështetjen e saj të vazhdueshme për integritetin territorial të Ukrainës dhe “është planifikuar të përcjellë se Turqia po vazhdon përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur në bazë të negociatave”.
Takimi, i caktuar të zhvillohet sot pasdite, do të përfshijë diskutimin e një rregulloreje të re mbi sigurinë lundruese të anijeve tregtare midis Rusisë dhe Ukrainës.
/rtsh.al/