Sekretariati i Etikës përjashton Vokshin dhe Hotin nga Kuvendi për 10 ditë

Sekretariati për Etikën vendosi të premten (16 shkurt) përjashtimin nga punimet e Kuvendit për 10 ditë të deputeteve demokrate Albana Vokshi dhe Elda Hoti.
Vendimi u mor pas kërkesës së depozituar nga 7 deputetë socialistë, të cilët ngritë si argumente thyerjen e rregullores së Kuvendit duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës plenare.
Znj. Vokshi reagoi në rrjetet sociale duke fajësuar kryeministrin Edi Rama dhe duke e interpretuar vendimin kundër saj nga këndvështrimi gjinor si grua.
“Propaganda e Ramës me numrin e grave dhe keqpërdorimi i tyre: urdhëron 4 gra deputete që të përjashtojnë dy gra deputete; urdhëron një grua që të ndalojë gratë deputete të hyjnë në seancat plenare; urdhëron një grua të urdhërojë gardën të ndalojë e të dhunojë fizikisht gratë deputete të opozitës; urdhëron gratë ministre të firmosin çdo vjedhje, abuzim e korrupsion të tij… Ja pse i duhen gratë Edi Ramës…” shkroi deputetja demokrate në “Facebook”.
Të enjten munguan 7 deputetë të opozitës, të përjashtuar për akte të mosbindjes civile nga seanca e kaluar.
Disa deputetë janë përjashtuar me 20 dhe 10-të ditë, ndërsa Edi Paloka me 40 ditë.
/rtsh.al/