Sekretariati rrëzon kërkesën e opozitës për përjashtimin e Ballës, kreu i grupit të PS-së: Etika, themel i besimit publik

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend ka rrëzuar kërkesën e shtatë deputetëve të opozitës për përjashtimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me pretendimin se kishte thyer etikën dhe përdorur gjuhë fyese në seancën e kaluar plenare.
Menjëherë pas vendimit, Balla reagoi në rrjetet sociale. Balla theksoi rëndësinë e sjelljes në jetën parlamentare, duke e cilësuar etikën si themelin e besimit publik ndaj institucioneve demokratike.
“Etika parlamentare kërkon që çdo deputet të veprojë me ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt ndaj Kushtetutës, rregullores dhe kolegëve,”, shkroi Balla.
Ai nënvizoi se debati parlamentar nuk duhet të jetë një “arenë fyerjesh”, por një “hapësirë dialogu dhe e argumentit”, duke shtuar se asnjë deputet nuk duhet të vendoset mbi rregullat dhe normat e respektit reciprok.
Vendimi i sekretariatit
Sekretariati i Etikës e rrëzoi kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për shkak të bazës ligjore. U vendos se neni 65/1 i Rregullores së Kuvendit parashikon që një masë e rëndë si përjashtimi mund të merret vetëm pasi janë zbatuar më parë masa të tjera disiplinore nga Kryetari i Kuvendit.
Balla e përmbylli reagimin e tij me fjalët se përpjekja për të pasur seanca dhe komisione parlamentare ku respektohen normat do t’i ndryshojë faqen Kuvendit dhe do të rrisë besimin e qytetarëve.
/rtsh.al/